Site icon Tetova Expres

Taravari: Garojmë me lista të veçanta për këshilltarë

Kryesia e Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit vendosi që kjo parti të garojë me lista të ndara të kandidatëve për këshilltarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tyre, kjo nuk nënkupton shkëputje nga VLEN-i por se ata duan që kandidatët për kryetarë të komunave të zgjidhen përmes matjeve të rejtingut. Taravari nuk përjashtoi bashkëpunimin me BDI-në dhe as ribashkimin me Aleancën e Ziadin Selës duke thënë se shtëpia e tyre është e hapur dhe e madhe. Taravari tha se kjo nuk është arsye as për dalje nga qeveria.“Listat do të jenë lista të Aleancës për Shqiptarët kurse kandidatët për kryetarë komunash, ne jemi munduar që ta imponojmë sondazhin dhe anketën, t’i përzgjedhim më të mirët të mundshëm me qëllim që të fitojë VLEN-i. Në qoftë se shkojmë katër liderët, katër kryetarët ose grupe të punës vendosin se kush çfarë merr dhe në cilën komunë, unë mendoj se kjo është humbje për komplet VLEN-in dhe për ne është e papranueshme. Për kryetar komunash jemi të hapur për bashkëpunim. Ne jemi pjesë e VLEN-it, do të shohim a mundemi të gjejmë zgjidhje aty. Në qoftë se jo, në bazë të lëvizjeve që ndodhin, ngjarjeve, dinamikave, zhvillimeve, ashtu edhe do t’i sjellim vendimet,” deklaroi Arben Taravari, Aleanca për ShqiptarëtKreu i ASH-së, Arben Taravari thotë se për pjesëmarrjen në Qeveria vendos kryeministri, por shtoi se me kryeministrinë në parim kanë raporte të shkëlqyera.“Aty vendos kryeministri. Ai që e formon qeverinë është kryeministri, nëse vendos nuk kemi asnjë problem, por në parim me kryeministrin tash për tash kemi raporte të shkëlqyera”, tha kryetari i ASH-së, Arben Taravari. Sipas tij, nga muaji maj, Aleanca për Shqiptarët do të hapë shtabet e saj zgjedhore dhe do të komunikojë me qytetarët.

 

Exit mobile version