Asnjë prokuror publik nuk është tërhequr nga hetimet për zjarrin në Koçan për shkak të presioneve të pretenduara dhe mosmarrëveshjeve me kualifikimin ligjor, pohon Prokuroria Publike pasi Bashkimi Demokratik për Integrim doli me informacion se një prokuror publik që ishte pjesë e rastit është tërhequr për shkak të mosmarrëveshjeve për kualifikimin e krimit, përshkak të presionit politik nga partitë në pushtet, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria thekson se asnjë prokuror nuk është tërhequr as nga Prokuroria Publike dhe as nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, departamenti i së cilës po heton zyrtarët policorë të dyshuar për tragjedinë e Koçanit.
Madje thonë se vetëm një prokuror nga PTHPNKOK po merret me tragjedinë e Koçanit.
BDI-ja ka reaguar mëngjesin e sotëm ndaj vendimit për lirimin e pothuajse të gjithë të arrestuarve, përveç ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi nga radhët e BDI-së, i cili mbetet në paraburgim.
Sipas partisë, ky nuk është një rast individual, por një model i rrezikshëm i drejtësisë selektive, i cili po kthehet në një mjet presioni dhe eliminimi politik.
Andaj, kërkojnë nga BDI-ja, që të kërkojë përgjigje nga Prokuroria në tri pyetje që kanë të bëjnë me ngjarjet dhe hetimin në Koçan.
“A është e vërtetë se një prokuror është tërhequr për shkak të hetimit të udhëhequr politikisht?– A do ta lejojë Prokuroria që të shndërrohet në instrument të hakmarrjes politike ndaj opozitës?
– Cilat janë kriteret sipas të cilave disa lirohen, e disa mbeten në paraburgim pa prova të mjaftueshme dhe me hetim të paqartë?”– pyesin nga kjo parti.
Pas zgjerimit të hetimeve për aksidentin e diskotekën në Koçan, me shtatë policë të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të dyshuar të policisë në 14, Prokuroria kërkoi që ndaj të gjithëve të vendosen masa paraprake, me çka u hoqi edhe masat e paraburgimit për policët e dyshuar në hetimet paraprake.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.