Site icon Tetova Expres

Kalon votimi: Flamuri i Palestinës do të valojë për herë të parë në OBSH

Një delegacion palestinez e fitoi të drejtën për ta valëvitur flamurin e vet në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) pas një fitoreje simbolike në një votim të zhvilluar të hënën. I dërguari palestinez shpreson që kjo fitore do të çojë në njohje më të madhe brenda OKB-së e jashtë saj.

Propozimi i paraqitur nga Kina, Pakistani, Arabia Saudite e disa vende të tjera në asamblenë vjetore të OBSh-së në Gjenevë u miratua me 95 vota “për” dhe vetëm katër “kundër” – Izraeli, Gjermania, Hungaria dhe Republika Çeke. 27 vende abstenuan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Fitimi i së drejtës për ngritjen e flamurit në OBSh vjen pas nismës së suksesshme të palestinezëve për anëtarësim të plotë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar dhe në kohën e sinjaleve se Franca mund të njohë një shtet të pavarur palestinez.

Në një referencë të qartë ndaj luftës shkatërruese mes Izraelit e Hamasit në Gaza, e dërguara e Libanit, Rana el Khoury, tha se rezultati i votimit ofron “një rreze të vogël shprese për popullin trim palestinez, vuajtja e të cilit ka arritur nivele të papërballueshme”.

Izraeli argumentoi kundër rezolutës së OBSh-së dhe bëri thirrje për një votim. Aleatet kryesore, Shtetet e Bashkuara, të cilat planifikojnë që të tërhiqen nga kjo organizatë, nuk morën pjesën.

Advertisement

Edhe pse gati 150 shtete kanë njohur një shtet të pavarur palestinez, shumica e fuqive perëndimore dhe disa të tjera nuk e kanë bërë ende këtë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.

Franca dhe Japonia votuan për propozimin që flamuri palestinez të valëvitet në OBSh, ndërsa Britania abstenoi.

“Është simbolike dhe një akt, por një shenjë se ne jemi pjesë e një komuniteti ndërkombëtar që ndihmon për nevoja shëndetësore. Shpresoj që së shpejti të kemi anëtarësi të plotë në OBSh dhe në të gjitha forumet e OKB-së” – i tha agjencisë “Reuters” ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Ibrahim Khraishi.

Javën e kaluar, palestinezët e fituan të drejtën për të pranuar njoftime sipas Rregulloreve Shëndetësore Ndërkombëtare të OKB-së – një grumbull rregullash globale për vëzhgimin e përhapjeve të sëmundjeve.

Advertisement
Exit mobile version