Më 28 maj do të përurohet sistemi One Stop Shop në Jazhnicë të Maqedonisë së Veriut e cila ndan pikën kufitare mes Maqedoninë Veriore me Kosovën.
Ky sistem është një model modern i kontrollit të integruar kufitarë, i cili lehtëson qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave mes dy vende me kontroll vetëm një herë nga shteti pritës.
Zëdhënësja e Qeverisë në Maqedoni të Veriut, Venera Azizi ka thënë në një deklaratë për KosovaPress se ky sistem përveç lehtësimit të qarkullimit, nënkupton edhe siguri të shtuar dhe zhvillim ekonomik.
Azizi: Kjo nënkupton edhe siguri të shtuar dhe zhvillim ekonomik
“Ky sistem që e vendosëm në Bllacë dhe Jazhnicë nënkupton urë-lidhëse lehtësimi i qarkullimit të qytetarëve, të mallrave dhe nënkupton edhe siguri të shtuar dhe zhvillim ekonomik. Ndërkaq do të vazhdojmë menjëherë me futjen në sistem të One Stop Shopit edhe në Tabanovcë dhe Qafë-Thanë dhe me këtë do ta përmbyllim edhe më tej me vendkalimet e tjera kufitare sistemin One Stop Shop mes Maqedonisë së Veriut dhe shteteve që kufizohet vendi ynë”, ka thënë Azizi.
Tutje, Azizi ka shtuar se sipas të dhënave të muajit prill dhe maj të vitit të kaluar dhe të këtij viti, në 2024 kishte 550 mijë kalime, ndërsa në 2025 mbi 776 mijë kalime.
Azizi: Dukshëm janë rritur kalimet mbi 200 mijë kalime më shumë për këtë periudhë krahasuar me vitin e kaluar
“Nëse krahasojmë të dhënat që vijnë nga kontrolli kufitarë i qytetarëve dhe i mallrave për muajin e njëjtë nga 12 prilli deri me 26 maj të vitit 2024 kur kishim 550 mijë kalime, tani në periudhën e njëjtë të vitit 2025 kemi mbi 776 mijë kalime, pra dukshëm janë rritur kalimet mbi 200 mijë kalime më shumë për këtë periudhë krahasuar me vitin e kaluar”, ka shtuar ajo.
Ky sistem muaj më parë është vendosur edhe në pikën kufitare me Bllacën- Han të Elezit.
Përveç përfaqësuesve institucional nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, i pranishëm në këtë ngjarje do të jetë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.