Site icon Tetova Expres

Aeroporti i Shkupit me fluturime të reja direkte për në tre qytete në Turqi

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është lidhur me tre qytete të tjera turke që nga 1 qershori nëpërmjet Ajet Airlines. Fluturimet sezonale për në Ankara, Çukurova dhe Diyarbakir filluan fundjavën e kaluar, duke zgjeruar ofertën e udhëtimit, njoftoi operatori i aeroportit TAV Maqedoni.

Linjat sezonale për në Ankara dhe Diyarbakir do të operojnë një herë në javë, ndërsa fluturimet e Ajet për në Aeroportin Çukurova, i vendosur në rrethin Tarsus të provincës Mersin në Turqinë jugore, do të jenë dy herë në javë. Të tre destinacionet e reja do të jenë aktive deri në fund të shtatorit të këtij viti.

“Lidhja direkte e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit me tre destinacionet e reja në Turqi është me rëndësi të madhe në shumë aspekte, pasi secila zonë sjell përfitimet e veta”, thotë Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Ai theksoi se lidhja e Shkupit dhe Ankarasë do të kontribuojë në rritjen e tregtisë, logjistikën e shpejtë të biznesit, aksesin e lehtë në tregun turk, lëvizshmërinë e biznesit, shkëmbimin turistik dhe kulturor, bashkëpunimin arsimor dhe akademik, si dhe lidhjen e komuniteteve, gjë që do të përmirësojë më tej marrëdhëniet politike dhe diplomatike.

TAV Maqedoni shton se vendosja e një lidhjeje ajrore me Çukurovën dhe Dijarbakirin do t’i sjellë Maqedonisë përfitime të konsiderueshme strategjike, ekonomike, turistike dhe kulturore.

Advertisement

Çukurova, shton TAV, si një zonë e madhe pjellore që përfshin qendrën industriale dhe bujqësore të Adanas dhe potencialin turistik të Mersinit (një destinacion në Rivierën Mesdhetare Turke), është veçanërisht e rëndësishme. Gjithashtu, në Maqedoni ka një popullsi të madhe me origjinë nga këto dy zona, kështu që lidhja ajrore do të lehtësojë komunikimin dhe ruajtjen e lidhjeve familjare.

Me tre destinacionet e reja, linja ajrore “Ajet” nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit tani do të ketë gjithsej katër destinacione, duke përfshirë edhe linjën ekzistuese për në Aeroportin Sabiha Gokcen në Stamboll.

Në sezonin aktual veror 2025, gjithsej katër linja ajrore fluturojnë midis Turqisë dhe Maqedonisë, duke mbuluar gjashtë qytete dhe shtatë aeroporte në Turqi.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga “Shën Pali Apostull” në Ohër, “Turkish Airlines” fluturon për në Stamboll, “Pegasus Airlines” fluturon nga Aeroporti i Shkupit për në “Sabiha Gokcen”, Izmir dhe Antalia, ndërsa “Sun Express” fluturon nga Shkupi për në Antalia dhe Izmir.

Advertisement
Exit mobile version