Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për dy përballje kyçe në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026. Më 7 qershor, kuqezinjtë do të presin Serbinë në “Arena Kombëtare”, ndërsa më 10 qershor do të udhëtojnë drejt Letonisë. Në konferencën për shtyp, Qazim Laçi u shfaq i motivuar dhe plot besim, duke analizuar të dyja ndeshjet dhe duke dërguar sinjale të forta për kundërshtarët.
I pyetur për përballjen me Serbinë dhe faktin që luhet në shtëpi, mesfushori dibran u shpreh: “Mendimi im është se na pret një ndeshje shumë të fortë, teksa do të luajmë në shtëpi. Serbia nuk është favorite, jemi të barabartë dhe diçka e tillë do të shihet në fushë. Do të përgatitemi për atë që duhet të japim në fushë, kjo ka rëndësi për ne. Na kërkohet të jemi profesionistë në fushë dhe të mos përfshihemi nga emocionet që vijnë nga jashtë”.
Lidhur me mbështetjen e tifozëve, Laçi nuk ka asnjë dyshim se ata do të jenë prezentë dhe shtysë për kombëtaren: “Unë besoj se tifozët do të jenë gjithmonë pas nesh. Kjo është ndeshje e veçantë, nga të gjithë kërkohet kujdes. Në gjithë këto vite që jam këtu, tifozët nuk kanë bërë gjëra të këqija. Sigurisht, i pres në stadium të na mbështesin sa më shumë”.
Sa i takon formës fizike të kombëtares, Laçi theksoi rëndësinë e përgatitjes mendore: “Nga ana fizike do të përgatitemi shumë. Aspekti fizik është shumë i rëndësishëm, por duhet të jemi të qetë dhe të kemi mentalitet të fortë. Kjo do të na ndihmojë të jemi të fortë edhe fizikisht”.
Shqipëria mban vendin e dytë në grup, ndaj Laçi e sheh këtë si mundësi të artë që nuk duhet shpërdoruar: “Patjetër kemi një shans të madh, pasi luajmë në shtëpinë tonë ndaj Serbisë. Kjo do të jetë forca jonë, duhet të hyjmë në fushë për të fituar, emocionet t’i lëmë mënjanë atë ditë. Duhet të punojmë në stërvitje dhe të bëjmë ato gjërat që na kërkon trajneri”.
Kur u pyet për dëshirën personale në lidhje me vend-zhvillimin e ndeshjes ndaj Serbisë, Laçi tregoi qetësi dhe profesionalizëm: “Ne jemi profesionistë dhe do të merremi me futbollin. Natyrisht, është gjë e mirë të luash në shtëpi, ku nuk na mungon kurrë mbështetja e tifozëve. Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, ku do të kërkojmë të marrim 3 pikët”.
Ai shtoi se kjo kombëtare është e përgatitur për sfida të tilla: “Nuk mendoj se ekipit kombëtar i mungon zemra. Ne kemi shpirt dhe zemër të fortë për të përballuar çdo gjë”.
Lidhur me sfidën e dytë ndaj Letonisë, Laçi nënvizoi se nuk ka vend për nënvlerësim: “Nuk kemi ndeshje të lehta dhe kundërshtarë që i nënvlerësojmë. Na presin 2 ndeshje shumë të rëndësishme kualifikuese, ndaj duhet të kemi kujdes. Fitorja ndaj Serbisë duhet të lidhet edhe me një 3-pikësh ndaj Letonisë”.