Site icon Tetova Expres

Sela: Aleanca për Shqiptarët është për 8 njësi zgjedhore!

Edhe pse janë në koalicionin Fronti Europian, Aleanca për Shqiptarët e Selës ka një qëndrim krejtësisht të ndryshëm nga ai i BDI-së lidhur me nismën për një njësi zgjedhore. Kryetari i partisë, Ziadin Sela, vazhdon me qëndrimin e tij të mëhershëm se për ata të pranueshme janë vetëm 8 njësi zgjedhore. Një njësi zgjedhore është në dëm të shqiptarëve, tha ai.

“Ne jemi kundër një njësie zgjedhore, jemi për 8 njësi zgjedhore, se është e studiuar dhe do të sillte zhvillim. Jemi kundër një njësie për shkak të rrethanave demografike që kemi, jemi kundër për shkak se asnjë subjekt politik shqiptar nuk ka shtrije në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe si e tillë është e dëmshme dhe vetëm mund të çonte në zvogëlim të numrit të deputetëve shqiptarë. Jemi për lista të hapura. Jemi për diasporën që të votojë me postë prej shtëpisë së tyre atje ku jetojnë dhe ta dërgojnë votën me postë këtu të numërohet”, tha Ziadin Sela

Çështja është biseduar edhe në VLEN, tregoi Billall Kasami, duke shtuar se po shqyrtojnë nëse do ta mbështesin idenë për një, tre ose tetë njësi zgjedhore. Kjo mund të ketë implikime ndëretnike, sepse me një njësi zgjedhore duhet të ketë garanci që nuk do të vijë deri te shtrembërimi i realitetit etnik, tha Kasami.

“Kjo mund të ketë edhe implikime ndëretnike, sepse me një njësi zgjedhore sigurisht që duhet të ketë garanci që në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut do të mund të ruhet vota dhe nuk do të mund të ketë deformime të realitetit etnik të përfaqësimit në Kuvend. Pra duke i marrë parasysh të gjitha këto aspekte. Ne jemi duke ndërtuar qëndrimin tonë se a do të jemi për një njësi zgjedhore, për tre apo për tetë”, deklaroi Bilall Kasami. (Tv21)

Exit mobile version