Është marrë Vendim për ndalesë të importit të mishit të pulës nga Brazili për shkak të gripit të shpendëve, konfirmoi sot drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Oliver Millanov. Vendimi, siç theksoi, është tashmë në fuqi.
Millanov kujtoi gjithashtu se pesë ditë më parë, me qëllim parandalimin e mundësisë së përhapjes së murtajës tek ripërtypësit e vegjël (PPR), AUV miratoi një Vendim që ndalonte importin dhe tranzitin e ripërtypësve të vegjël të gjallë shtëpiakë dhe të egër, farës, vezëve dhe embrioneve nga ripërtypësit e vegjël shtëpiakë dhe të egër, mishit nga ripërtypësit e vegjël shtëpiakë dhe të egër, produkteve dhe mishit të përpunuar nga ripërtypësit e vegjël shtëpiakë dhe të egër, qumështit dhe produkteve të qumështit nga ripërtypësit e vegjël shtëpiakë dhe të egër, si dhe nënprodukteve nga ripërtypësit e vegjël shtëpiakë dhe të egër nga Shqipëria, ku, në rrethin e Dibrës, në qytetin e Kastriotit, pati vatër të re të sëmundjes në një fermë me 200 dhi pasi u raportua rasti i parë në rrethin e Shkodrës.
Deri më tani, informoi drejtori, në kuadër të kontrolleve të cilat i zbaton AUV me policinë, është zbuluar edhe kontrabandë e kafshëve të gjalla.
“Para pesë ditëve morëm Vendim për ndalesë për import nga Shqipëria për shkak të murtajës te ripërtëritësit e vegjël. Janë alarmuar policia, armata, të gjitha shoqëritë veterinere dhe veterinerët zyrtarë të cilët duhet të jenë të kujdesshëm. Vitin e kaluar sëmundja ishte prezent në Greqi, për një ditë ishin shkatërruar rreth 16.000 frymë, por ne arritëm të mos lejojmë të paraqitet te ne”, potencoi drejtori.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve para tribunës për ngritjen e vetëdijes publike për sigurinë e ushqimit, Millanov theksoi se AUV po pajiset me inspektorë.
“Për momentin, kemi 186 inspektorë. Në AUV tashmë kanë përfunduar disa nga konkurset, por do të kemi më shumë konkurse deri në fund të vitit. Kemi vendosur një objektiv prej 50 inspektorësh të tjerë”, informoi Millanov.
Sa i përket ushqimit të cilin e konsumojmë, ai edhe një herë theksoi se është i sigurt dhe paralajmëroi kontrolle të fuqishme për shkak të periudhës së verës, veçanërisht në vendet turistike.
“Askund në botë dhe askush nuk mund të garantojë se hamë ushqim të sigurt. Qytetarët hanë ushqim të sigurt, tani me rritjen e temperaturave është rritur edhe numri i turistëve dhe i transitit, ndërsa Agjencia përveç mbikëqyrjeve të rregullta, bën edhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme. Këtë periudhë theks do tu vihet vendeve turistike si Struga, Ohri, Prespa, Dojrani,”… tha Millanov.
Në lidhje me afatin e skaduar të produkteve, shtoi, përgjegjësi kanë, para së gjithash, operatorët me ushqim të cilët duhet t’i respektojnë aktet ligjore dhe nënligjore.
“AUV pas raportimeve të qytetarëve, pas kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme dënon dhe e shkatërron ushqimin me afat të skaduar, por operatorët janë të detyruar që atë mall bashkë me inspektorin zyrtar ta dërgojnë në deponitë adekuate”, theksoi drejtori i AUV-së.