Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski mori pjesë në një ngjarje me rastin e festimit të dyfishtë të punës sociale, Ditës së Punonjësve Socialë – 10 qershor dhe Ditës së Punës Sociale që u mbajt së fundmi
Ngjarja me titull: “Festimi i punës sociale – për mirëqenie të qëndrueshme, një të ardhme të përbashkët dhe solidaritet të fortë!” u organizua nga Shoqata e Punonjësve Socialë të Maqedonisë – SHPSM, dhe përveç punonjësve socialë, në të morën pjesë edhe profesorë nga Instituti për Punë Sociale dhe Politikë Sociale pranë Fakultetit Filozofik, Shkup.
Qëllimi i shënimit të të kësaj dite është të afirmohet rëndësia e punës sociale dhe roli që luajnë punonjësit socialë në fusha të ndryshme të veprimtarisë në vendin tonë.
Me këtë rast, Vellkovski shprehu mirënjohjen e tij ndaj punonjësve socialë për sakrificën e tyre në punë, për të cilën ai theksoi se “nuk ka mënyrë më të mirë për ta përshkruar këtë profesion sesa me fjalën humanizëm”.
“Në terren, ne e dimë se sfidat me të cilat përballeni nuk janë të vogla. Por ju nuk dorëzoheni, nuk tërhiqeni. Dhe komunikimi i përditshëm me ju më tregon se ju jeni ata që keni zgjidhjet, ju jeni ata që mund të gjeni një rrugëdalje edhe atëherë kur duket si e pamundur. Dhe në këtë, puna juaj është e paçmuar. Ju jo vetëm që po ndryshoni jetën e atyre që ju drejtohen, por në fakt po ndryshoni frymën e shoqërisë sonë, duke ndërtuar ura midis njerëzve, duke u ofruar një shans për të nesërmen atyre që tani janë të humbur”, theksoi Vellkovski.
Ai iu referua përpjekjeve të Ministrisë për të krijuar një sistem që mbështet punonjësit socialë në kryerjen e misionit të tyre.
“Le të ofrojmë kushte më të mira pune, të sigurojmë burime dhe trajnime që do t’ju mundësojnë të përballeni me të gjitha sfidat që lindin. Ju jeni heronjtë e vërtetë të kësaj shoqërie. Ju falënderoj nga thellësia e zemrës dhe ju uroj shumë suksese në punën tuaj humanitare”, tha Vellkovski.