Site icon Tetova Expres

Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës u promovua numri i 7-të i revistës studentore “Përtej”

Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, më 11 qershor 2025, u promovua numri i 7-të i revistës studentore “Përtej”, botim i studentëve të programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Kryeredaktorja e kësaj reviste Altina Sulejmani në fjalën e saj para pjesëmarrësve në këtë promovim u shpreh se ky numër i ri sjell përmbajtje të pasura me rubrika të ndryshme si “Nën thjerrëz”, “Ura”, “Kënga e hapur”, “Intervistë”, “Portret” dhe të tjera, që trajtojnë tema me rëndësi kulturore, gjuhësore dhe letrare nga perspektiva e brezit të ri. Ajo më tej tha se revista mbetet një dritare e hapur për të gjithë studentët që dëshirojnë të shkruajnë, të hulumtojnë dhe të sfidojnë veten përmes krijimtarisë. Në qendër të këtij botimi është një intervistë me shkrimtarin dhe përkthyesin Besnik Mustafaj, i cili rrëfen përvojën e tij letrare dhe raportin me të shkruarit. Ndërkohë, rubrika “Portret” i kushtohej Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, një figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare, i cili me kontributin e tij ka lënë gjurmë të thella në studimin dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe. Një tjetër moment i veçantë ishte nderimi i kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, me rastin e njëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Sipas Altina Sulejmanit revista i kushtoi atij rubrikën “Përshpirtje”, duke nënvizuar se vepra dhe ndikimi i tij do të mbeten gjithmonë të gjalla mes nesh.

Në promovimin e revistës “Përtej” fjalë përshëndetëse mbajti edhe dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, i cili theksoi rëndësinë e kësaj reviste si dëshmi e vazhdimësisë shpirtërore të krijuesve të rinj dhe një hapësirë e lirë për mendimin dhe shprehjen studentore. Ai u bëri thirrje studentëve të vazhdojnë të shkruajnë, duke e konsideruar fjalën e tyre si të ardhmen e letrave shqipe. Ndërsa shefja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakulteti Filologjik Albulena Dehari i përgëzoi studentët për punën që kanë bërë dhe njëherit shprehu konsideratë dhe mirënjohje për të gjithë studentët që kanë kontribuar në këtë revistë ndër vite, që nga numri i parë i botuar në vitin 2013 e deri te ky i fundit.

Në kuadër të këtij promovimi Prof. Dr. Vjollca Berisha në pika të shkurtëra foli për Kadarenë dhe krijimtarinë e tij si dhe vendin e tij në letërsi.

Promovimi u realizua me mbështetjen e Parlamentit Studentor, i cili ndihmoi financiarisht nxjerrjen në dritë të këtij botimi, duke garantuar vazhdimësinë e një platforme të rëndësishme për zhvillimin kulturor dhe intelektual të të rinjve.

Advertisement

Exit mobile version