Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë dhe Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Shkup, mbajti trajnimin e parë njëditor të dedikuar për anëtarët e ekipeve shumësektoriale të përbëra nga ekspertë nga qendrat e punës sociale, oficerë policie, punonjës shëndetësorë dhe organizata të shoqërisë civile.
Trajnimi i parë nga gjithsej pesë të planifikuar u zhvillua dje në Shtip, ndërsa katër të tjerët do të organizohen në Shkup (17.06.), Manastir (20.06.), Kumanovë (23.06.) dhe Tetovë (24.06.
Trajnimet synojnë të përforcojnë njohuritë dhe shkathtësitë praktike të anëtarëve të ekipeve shumësektoriale të cilët punojnë në parandalimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Trajnimi përfshin prezantime teorike, diskutime, ushtrime praktike dhe simulime, përmes të cilave pjesëmarrësit do të forcojnë njohuritë e tyre mbi veprimin e koordinuar, komunikimin dhe mbështetjen efektive të viktimave.
Vëmendje e veçantë i kushtohet zbatimit praktik të Protokollit për bashkëpunim të ndërsjellë midis subjekteve kompetente për ndërmarrjen e masave për parandalimin, pengimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje.