Tre persona janë plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 14-vjeç, si pasojë e një përleshjeje të ashpër me thika që ndodhi sonte (17 qershor) në lagjen Çair të Shkupit.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, rreth orës 19:48 në SPB Shkup është raportuar se në kryqëzimin midis rrugëve “Cvetan Dimov” dhe “John Kennedy”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, ka ndodhur një konflikt fizik.
Në përleshje kanë marrë pjesë një djalosh 14-vjeçar dhe dy persona të tjerë të moshës 64 dhe 18 vjeç – të gjithë nga Shkupi. Sulmi ka eskaluar deri në atë masë sa janë përdorur edhe thika, dhe të tre janë plagosur.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum Ohridski” dhe në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ku u është dhënë ndihma mjekësore.
Nga MPB njoftojnë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, përfshirë identifikimin e shkaktarëve dhe rrethanave të incidentit që shqetësoi banorët e kësaj zone të frekuentuar të Shkupit.