Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka pritur sot në Shkup homologen e tij nga Danimarka, ministren Mari Bjere, në një takim që u vlerësua si i rëndësishëm për perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit.
“Sot prita kolegen time nga Danimarka, Ministren për Çështje Evropiane Mari Bjere. Hapur diskutuam – për BE-në, për zgjerimin, për të ardhmen e Evropës,” shkroi Murtezani në një status në rrjetet sociale.
Ai vuri në pah rëndësinë e kësaj vizite, në një kohë kur Danimarka po përgatitet të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Vizita e saj mbart peshë të veçantë – si sinjal për përkushtim ndaj vlerave evropiane dhe orientimit strategjik drejt Ballkanit Perëndimor,” theksoi ministri.
Murtezani shtoi se Samiti për Planin e Rritjes që do të mbahet në Shkup nuk është thjesht një ngjarje diplomatike, por “mirënjohje e rrugës sonë evropiane”.
“Ishte kënaqësi të flisnim për reformat, për gatishmërinë tonë dhe për atë se Samiti për Planin e Rritjes në Shkup është më shumë sesa ngjarje,” shkroi ai.
Në fund, ministri e përshkroi marrëdhënien me Danimarkën si një partneritet të ndërtuar mbi “besim, vizion dhe vlera”.