Në Tetovë u mbajt forum rajonal për menaxhim të mirë dhe bashkëpunim ndërinstitucional në rajonet e mbrojtura në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë. Organizues është Fondacioni “Lidhja me vlerat natyrore dhe njerëzit”.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti foli në forum dhe tha se si Qeveri, çdoherë do të ofrojnë mbështetje për nisma të këtilla të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës.
“Në të njejtën kohë mendojmë si të realizohet kjo në mënyrë që të bëhet atraksion turistik, siç është rasti me Austrinë dhe vende të tjera të suksesshme, ku menaxhohen këto pasuri natyrore në mënyrë të suksesshme me shembuj të suksesshëm. Njëherit të bashkëpunojmë me fqinjët tanë, në këtë rast me Republikën e Kosovës së bashku të punojmë për mbrojtjen e Malit Sharr – ai është si atraksion turistik për të dy shtetet, duke shfrytëzuar shembuj të suksesshëm në Evropë dhe vende të tjera”, theksoi Mexhiti.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami potencoi se zhvillimi i turizmit në Malin Sharr përmes nismave të këtilla do të sjellë edhe zhvillim në fusha të tjera.
“Ai është një prej projekteve komplekse me të cilat do të synojmë nga një destinacion i harruar të bëhet qendër, jo vetëm e zhvillimit lokal ekonomik, por edhe e shtetit. Me investimet të cilat parashihen edhe në pjesën e hapjes së rrugës Tetovë-Prizren, me të cilat do të ndërlidhen të tri shtetet në këtë projekt Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, gjithashtu edhe me investimet të cilat tashmë po përgatiten dhe janë nga fundi në pjesën e Kodrës së Diellit si destinacionturistik ne në të ardhmen e afërt malit të Sharrit do t’ia kthejmë shkëlqimin që e kishte dikur”, vlerësoi Kasami.
Drejtori ekzekutiv nehat Ramadani deklaroi se me këtë forum e vendosin bazën për dialog rajonal për përforcim të menaxhimit dhe nxitjes së bashkëpunimit efektiv mes institucioneve përgjegjëse për menaxhim me rajonet e mbrojtura.
“Përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova mblidhen përtë ndarë përvoja, sfida dhe strategji për përpjekje të qëndruehsme dhe të koordinuara për ruajtje”, tha Ramadani.