Në Gjykatën Themelore të Strugës, sot pritet të paraqitet fjala përfundimtare e mbrojtjes së kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në procesin gjyqësor për katër raste të bashkuara që kanë të bëjnë me emërime të paligjshme të drejtorëve në shkollat fillore: “Goce Dellçev” në Podgorcë (dy raste), “Murat Labunishti” në fshatin Labunishtë dhe “Ashim Agushi” në fshatin Radozhdë.
Gjyqtari Jordan Jovanov, në seancën e kaluar, informoi se mbrojtja kishte kërkuar kohë shtesë për përgatitjen e fjalës përfundimtare për shkak të natyrës së ndërlikuar të rasteve të bashkuara.
Në deklaratën e tij para gjykatës, Merko këmbënguli se nuk kishte vepruar në kundërshtim me ligjin gjatë emërimeve, duke theksuar se ai vetëm kishte nënshkruar dokumentet e përgatitura nga shërbimet komunale. Sipas tij, po të kishte shkelur ligjin, Ministria e Arsimit do t’i kishte marrë kompetencat – gjë që nuk kishte ndodhur. Ai deklaroi se ish-ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ishte në dijeni të situatës dhe kishte konfirmuar se ekzistonin baza ligjore që një person nga jashtë shkollës të emërohej si ushtrues detyre nëse asnjë kandidat nga institucioni nuk aplikonte për postin. Merko shtoi se në shumë raste, vetë ministri Shaqiri kishte propozuar personat që më pas u emëruan, dhe se drejtorët e rinj kishin deklaruar se nuk ishin takuar me Merkon, por ishin caktuar nga ministria.
Ai ngriti pyetjen se si është e mundur që vetëm ai të jetë nën akuzë, kur kompetencat për emërimet janë të përbashkëta me Ministrinë e Arsimit dhe janë të rregulluara në të njëjtin nen të ligjit. Merko përmendi gjithashtu se edhe ministrja aktuale e Arsimit, Vesna Janevska, kishte emëruar ushtrues detyre drejtorë në fillim të vitit shkollor 2024/25 në Drasllajcë dhe Podgorcë – edhe pse ata nuk plotësonin kriteret.
Sipas tij, të gjithë drejtorët e emëruar kanë punuar në mënyrë të ndershme dhe profesionale, ndërsa nga dëshmitë e inspektorëve, në rastin më të keq bëhet fjalë për shkelje administrative, jo për vepër penale.
Përveç këtij procesi, Merko është i përfshirë edhe në një rast tjetër të ndarë që lidhet me shkollën fillore “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë. Ndaj tij po zhvillohen dhe procese të tjera gjyqësore për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa më 9 qershor, Gjykata e Strugës e shpalli të pafajshëm për rastin e prokurimit të një veture luksoze “Audi” me vlerë prej 67.000 euro.