Më 22 qershor 2025, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai mirëpriti grupin e parë të haxhinjveqë u kthyen në vendlindje pas kryerjes së pelegrinazhit, respektivisht obligimit fetar të Haxhit. Nga BFI thonë se në fjalën e tij të mirëseardhjes, kreu i BFI-së uroi haxhilerët për kthimin e mbarë dhe shprehu dëshirën që Haxhi i tyre të jetë i pranuar nga Zoti.
“Me fjalë të përzgjedhura mirëseardhjeje, Reisul Ulema u uroi haxhinjve kthim të mbarë dhe u dëshiroi që Haxhi i tyre të jetë i pranuar te Allahu i Madhërishëm, duke i falënderuar për sjelljen shembullore dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit dhe të BFI-së në tokat e shenjta”, thonë nga BFI.
Nga BFI thonë se Fetai gjithashtu shprehu mirënjohje të veçantë për stafin e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, për bashkëpunimin profesional që mundësoi një pritje të organizuar dhe një procedurë të shpejtë e të lehtësuar të kalimit të haxhilerëve nëpër pikat kufitare.
“Zoti i bekoftë të gjithë haxhinjtë tanë dhe i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij udhëtimi të shenjtë”, përfundoi Fetai.