Site icon Tetova Expres

BDI reagon ndaj projektligjit të ri për përfaqësim të drejtë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me tone të ashpra ndaj një projektligji të ri për përfaqësim të drejtë, i cili së fundmi është përmendur në disa media si një “balon prove” me qëllim testimin e reagimeve të opinionit publik.

Sipas BDI-së, ky projekt përfaqëson një hap mbrapa dhe paraqet një rrezik serioz për rendin kushtetues multietnik në vend.

“Ky propozim nuk e mbron, por përkundrazi e minon parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë, duke hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese që burojnë prej saj,” thuhet në deklaratë.

BDI ka kritikuar edhe përputhjen e këtij projektligji me premtimet parazgjedhore të partisë VMRO-DPMNE dhe koalicionit ZNAM, të cilët sipas saj kanë shpallur hapur synimin për të shfuqizuar mekanizmat detyrues që garantonin përfaqësimin e drejtë në sektorin publik. Si shembull konkret, BDI përmend shfuqizimin e Balancuesit, pas të cilit ka pasuar një valë punësimesh me përfaqësim të pabarabartë.

“Pas shfuqizimit të Balancuesit, ishim dëshmitarë të një numri të madh shpalljesh dhe punësimesh, ku ose punësoheshin vetëm maqedonas, ose përfaqësimi i komuniteteve tjera ishte minimal dhe simbolik,” thekson reagimi.

Advertisement
Exit mobile version