Site icon Tetova Expres

ASH: Me këtë ligj, pa mekanizma detyrues, shqiptarëve u hiqet e drejta kushtetuese për përfaqësim

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim për përmbajtjen e propozimligjit të sjellë nga Qeveria, i cili synon të zëvendësojë mekanizmin ekzistues të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet shtetërore.

Ky propozim përfaqëson një hap prapa në respektimin e një prej parimeve themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut: përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.

Mungesa e mekanizmave detyrues për zbatim, konkretisht mospërfshirja e një kalkulatori proporcional bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, është një mangësi thelbësore e këtij propozimligji. Gjithashtu, mungojnë dispozita që kërkojnë që çdo konkurs pune në sektorin publik të kalojë përmes këtij kalkulimi, si dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin, gjë që e bën këtë iniciativë joefektive dhe jofunksionale në praktikë.

Delegimi i kompetencave tek një “trup koordinues” pa mandat ekzekutiv, pa pavarësi institucionale dhe pa mjetet e nevojshme për mbikëqyrje dhe zbatim të ligjit, nuk garanton avancimin e përfaqësimit të drejtë. Përkundrazi, ky trup do të ketë më shumë rol simbolik dhe deklarativ, pa kapacitet për të ndikuar realisht në proceset e punësimit dhe përfaqësimit institucional.

Zëvendësimi i mekanizmit të balancuesit me një strukturë formale pa fuqi reale është kthim në të kaluarën dhe vë në rrezik karakterin multietnik dhe demokratik të shtetit.

Advertisement

Aleanca për Shqiptarët kërkon rikthimin e kalkulatorit proporcional si mekanizëm të detyrueshëm për çdo institucion publik në proceset e punësimit, në përputhje me të dhënat zyrtare të regjistrimit dhe me Kushtetutën. Gjithashtu, kërkojmë vendosjen e masave konkrete ligjore ndaj institucioneve që nuk zbatojnë përfaqësimin e drejtë, përfshirë ndalimin e punësimeve të reja, si dhe përgjegjësi administrative dhe penale për drejtuesit përkatës.

Theksojmë se një ligj që nuk përmban mekanizma zbatimi nuk mund të konsiderohet reformë. Pa mjetet e duhura për kontroll dhe pa ndëshkime për moszbatim, ky ligj nuk është zgjidhje, por një fasadë politike që nuk përmbush detyrimet kushtetuese dhe nuk garanton barazi reale për shqiptarët dhe komunitetet e tjera.

Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet me të gjitha mjetet politike dhe institucionale për të ndaluar kalimin e këtij ligji në formën aktuale, i cili cenon rëndë të drejtat e shqiptarëve dhe parimin e përfaqësimit të drejtë në shtet.

Aleanca për Shqiptarët

Advertisement
Exit mobile version