Ndërmarrja Publike për Ujë dhe Kanalizim “Sharri” ka njoftuar përfundimin me sukses të projektit për servisimin dhe rikonstruktimin e plotë të stacionit të filtrimit në fshatin Lisec – një objekt kyç për furnizimin me ujë të pijshëm të Tetovës, veçanërisht gjatë dimrit.
Punimet kanë zgjatur një vit dhe kanë përfshirë ndërhyrje të thella teknike, përkatësisht:
-
Ndërrimin e të gjitha rrjeteve teknike,
-
Servisimin e plotë të të gjithë filtrave,
-
Vënien në funksion të plotë të njësive të filtrimit,
-
Ndërrimin e të gjitha valvulave (shiberave) në sistemin e filtrimit.
Falë këtyre përmirësimeve, kapaciteti i filtrimit është rritur nga 80 litra në sekondë në 200 litra në sekondë – një shtim i ndjeshëm që përmirëson furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Tetovës gjatë periudhave më kritike të vitit.
Vlera e projektit është 1.5 milion denarë dhe është financuar tërësisht nga buxheti vetanak i ndërmarrjes.
“Përkushtimi ynë për shërbime cilësore do të vazhdojë me projekte të reja dhe investime konkrete. Punojmë me përkushtim sot për garanci të nesërmen”, ka deklaruar drejtori i Ndërmarrjes “Sharri”, Valon Zeqiri.