Site icon Tetova Expres

VLEN: Nëpunësit publikë janë shtylla e funksionimit të shtetit!

VLEN përgëzon të gjithë nëpunësit dhe shërbyesit publikë me rastin e Ditës së Nëpunësve Publikë dhe Shërbimeve Publike, një ditë që na rikujton rolin kyç të tyre në funksionimin e shtetit dhe në forcimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri Arben Fetai mori pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Administratës Publike, ku theksoi se nëpunësit publikë janë fytyra e institucioneve dhe bartës të përgjegjësisë për ofrimin e shërbimeve cilësore, të drejta dhe të barabarta për të gjithë qytetarët. “Nëpunësit publikë e mbajnë shtetin në lëvizje. Profesionalizmi, etika dhe sjellja e tyre e përkufizojnë nivelin e besimit që qytetarët kanë në institucionet tona. Shërbimi publik është nder, por edhe përgjegjësi – të jesh korrekt, i qasshëm, efikas dhe mbi të gjitha i ndershëm”, u shpreh zëvendëskryeministri Fetai.

VLEN riafirmon përkushtimin për të ndërtuar një administratë publike moderne dhe profesionale, që vepron me transparencë, efikasitet dhe integritet, në shërbim të qytetarëve, një administratë që është imune ndaj presioneve politike, abuzimeve dhe korrupsionit.

Shërbimi publik nuk është privilegj për individin, por përgjegjësi ndaj qytetarit dhe shtetit. Në këtë rrugëtim, VLEN do të jetë gjithmonë në mbështetje të reformave që forcojnë administratën dhe rrisin besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Exit mobile version