Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi, prodekani për shkencë i FSHZ-së, Prof. Dr. Kujtim Elezi dhe përgjegjësja e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari – Zeqiri e pritën në takim drejtorin e Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë “INSI” SHPK nga Republika e Kosovës, z. Ismajl Baftijari, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtori i jashtëm i Institutit, prof. Binak Beqa, udhëheqësja e administratës, Emine Haliti, prof. Gëzim Hoxha dhe prof. Mevlan Bixhaku.
Në kuadër të këtij takimi u nënshkrua memorandum bashkëpunimi për zhvillim akademik dhe profesional. Ky bashkëpunim ka për qëllim forcimin e lidhjes midis arsimit dhe tregut të punës përmes një sërë aktivitetesh të përbashkëta që përfshijnë aplikimin në projekte, veçanërisht në kuadër të programit Erasmus+, si dhe realizimin e studimeve, analizave profesionale dhe projekteve me interes kombëtar e ndërkombëtar.
Në kuadër të këtij partneriteti, studentëve të Universitetit të Tetovës do t’u ofrohen mundësi për punë praktike në “INSI”, çka pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e tyre profesional. Po ashtu, palët do të organizojnë trajnime, seminare dhe aktivitete të përbashkëta kërkimore, me përfshirjen aktive të profesorëve të Universitetit të Tetovës në projektet e “INSI”-t. Një tjetër element kyç i marrëveshjes është shfrytëzimi i hapësirave të Universitetit të Tetovës për mbajtjen e aktiviteteve të organizuara nga “INSI”, duke u mundësuar studentëve që të përfitojnë nga programet e trajnimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale.
Ky memorandum paraqet një hap konkret drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të mundësive të reja për studentët, profesorët dhe komunitetin shkencor në përgjithësi.