Site icon Tetova Expres

Regjistrimi 2021, VLEN akuzon BDI për tradhëti kombëtare

Nga Koalicioni VLEN sot kanë akuzuar se regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 u shit dhe se BDI preu në besë shqiptarët. Sipas Blerim Sejdiut, të dhënat flasin vetë ngase në fshatrat me shumicë shqiptare si Gërçeci në regjistrimin e fundit janë regjistruar vetëm 36 banorë, ndërsa në Reçicë figurojnë vetëm 1653 banorë. Këto shifra nuk janë gabime të rastësishme, por rezultat i një pazari të qëllimshëm politik, akuzuan nga koalicioni VLEN.

Pyesim publikisht: Si është e mundur që në Reçicë të Vogël regjistrimi të numërojë vetëm 1.653 shqiptarë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dalin mbi 2.400 vota vetëm për partitë shqiptare?Si është e mundur që në fsh. Zhelinë të ketë 3432 banorë e 4103 votues? Si është e mundur që në fsh.Strimnic të ketë 1937 banorë të regjistruar e 2644 votues? Dhe kjo gjendje vazhdon edhe ne shume fshatra tjerë? A ka përdorur BDI lista të fryra për të mbushur kutitë? Apo ka shpërngulur njerëzit në “botën e statistikave të fshehta”? Dhe si në çdo skemë mashtrimi, në fund u shtua edhe “qershia mbi tortë”: një kategori fantazmë, “persona për të cilët të dhënat janë marrë nga burime administrative”. Kjo kategori nuk ekziston në asnjë ligj, por prodhoi mbi 132.000 banorë të panjohur, shumica maqedonas, ndërsa shqiptarët e vërtetë, ata të diasporës, u zhdukën qëllimisht nga numrat.Dhe më në fund, Gjykata Kushtetuese, para dy ditësh, e rrëzoi këtë mashtrim të ligjshëm, duke shpallur antikushtetues ndarjen “rezident/jorezident”. Kjo është fitore e së vërtetës, dhe dënim moral për tradhtarët e interesit kombëtar.Ne në VLEN nuk bëjmë kalkulime me popullin tonë. Ne nuk frikësohemi nga mërgata, përkundrazi, jemi zëri i saj. Ne nuk njohim shqiptarë “të mirë” e “të padëshiruar” sipas interesit të pushtetit.Çdo shqiptar ka vend në vendimmarrje. Ne nuk do ndalemi, derisa kjo padrejtësi të korrigjohet, me riregjistrim të diasporës, me përfshirje të saj në çdo mekanizëm përfaqësimi.Regjistrimi i vitit 2021 nuk ishte dështim, ishte TRADHTI. Një tradhti e planifikuar, e zbatuar me urdhër nga lart, me puthadorë të bindur në çdo institucion. Por sot, kjo skemë është rrëzuar. Dhe jo, as Soravia, as klanet e Reçicës, nuk do ta shpëtojnë dot më gënjeshtrën.

Exit mobile version