Site icon Tetova Expres

Rama në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Shkup: Kurrë më afër anëtarësimit se sot

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shkup, ku po merr pjesë në Samitin dyditor mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është fokusuar në zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, në nisje të samitit, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se vendet e Ballkanit janë sot më afër se kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në BE.

“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh Rama.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se mbrëmjen e së hënës kanë pasur një darkë në Shkup, ku me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar mbi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.

Ai para mediave tha se është kënaqësi ta vizitojë Shkupin, vend që bashkërisht me shtetet e tjera synon anëtarësimin në BE.

Advertisement

Kurti përmendi edhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbi pikat e përbashkëta të kontrollit.

“Me këtë rast kemi pasur një darkë paraprake mbrëmë, ku kemi diskutuar për Planin e Rritjes. Kënaqësi të vij në Shkup, tash kur kemi pika të përbashkëta kontrolli. Ajo Han i Elezit – Bllacë, që më 12 prill u funksionalizua dhe ajo Glloboçicë-Jazhincë, që më 28 maj u funksionalizua. Si rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta me Qeverinë Mickovsksi, më 18 nëntor në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët”, ka thënë ai.

Gjatë samitit, pritet që liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian të diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes, një nismë që synon të afrojë më shumë vendet e rajonit me tregun e përbashkët evropian dhe të nxisë zhvillimin ekonomik.

Në sesionin hapës, pjesëmarrësve iu drejtuan me fjalë përshëndetëse kryeministri i RMV-së Hristian Mickoski dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos.

Samiti pritet të ketë dy panele diskutimi:

Advertisement

Në panelin e parë me temë “Plani i Rritjes: Vlerësimi, hapat e ardhshëm dhe komunikimi”, liderët e rajonit, përfshirë kryeministrin Rama, do të diskutojnë mbi përparimin dhe zbatimin e iniciativave kryesore të Planit të Rritjes, veçanërisht ato të Shtyllës 1 që përfshin turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe lehtësimin e qarkullimit në kuadër të “Autostradës” së Tregut të Përbashkët.

Ndërkohë, paneli i dytë, i titulluar “Thellimi në Shtyllat e Planit të Rritjes”, do të mbledhë ministrat për Çështjet e BE-së, përfaqësues të institucioneve evropiane, organizatave rajonale dhe partnerëve zbatues, për të analizuar detajet teknike të secilës shtyllë dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm drejt integrimit.

Exit mobile version