Site icon Tetova Expres

Zherovjan, asfaltohet rruga në hyrje të fshatit nga bizneset lokale (VIDEO)

Në mungesë të investimeve nga institucionet lokale dhe qendrore, banorët e fshatit Zherovjan të komunës së Bogovinës, me ndihmën e afaristëve kanë asfaltuar vet rrugën në hyrje të fshatit. Hyrja në këtë fshat ishte lënë pasdore dhe ishte dëmtuar shumë ndër vite dhe kjo detyroi që banorët të vet organizohen dhe afaristët e fshatit kontribuan me rreth gjashtë mijë euro duke asfaltuar këtë pjesë të rrugës në hyrje të fshatit Zherovjan.
“ Ishte një iniciativë e shumë bizneseve që kanë kontribuar në bashkëpunim me Bashkësisë Lokale për ta rregulluar këtë rrugë, ose me mirë të themi një plagë që me vite qëndron e hapur këtu dhe është një rrugë që lidh dy regjione, pra pjesën e fshatrave rrëzë Malit Sharr dhe pjesën e fshatrave rreth Malit të Thatë, ose konkretisht I lidh dy komuna, atë të Bogovinës dhe Bërvenicës dhe është një nyje që lidhet me autostradën Tetovë-Gostivar. Ishte kjo një iniciativë e Bashkësisë Lokale, bizneseve dhe njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët kanë financiuar asfaltimin e rrugës dhe uroj ta shfrytëzojnë të gjithë banorët e këtij rajoni dhe jo vetëm banorët e fshatit Zherovjan”, deklaroi Ismail Ferati, Kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Zherovjan.
Por, infrastruktura në këtë fshat ka nevojë për ndërhyrje tjera. Nënkalimi për hyrje në fshatit Zherovjan është vetëm për një veturë. Kjo krijon kaos të vërtetë gjatë tërë kohës pasi që vozitësit janë të detyruar të presin derisa të lirohet nënkalimi dhe më pas të hyjnë ose dalin prej fshati. Situata paraqitet edhe më e rëndë gjatë muajve të verës, kur kolonat e veturave janë të gjata në këtë pritje për të kaluar nënkalimin.
“Është këtu një rrugë njëkahshe, ku sipër nënkalimit është hekurudha. Është ndërtuar në vitet e 50 ndoshta dhe tash nuk I përshtat aspak zhvillimit të fshatit apo rajonit dhe kështu me rradhë. Kemi pasur disa kërkesa deri tek Ministria e Transportit dhe drejtoritë përkatëse, do t`i drejtohemi edhe kompanisë e cila aktualisht punon në Korridorin 8 në segmentin e autostradës Tetoë-Gostivar të gjejnë një zgjidhje. Këtu gjatë verës bëhet një kaos i vërtetë. Nëse eventualisht ndërtohet edhe një nyje tjetër afër këtu, kjo do ta rëndojë edhe më shumë kaosin në hyrje të fshatit” deklaroi Ferati.
Banorët shpresojnë se do të hasin në mirëkuptim nga institucionet sepse ky nënkalim njëkahësh shkakton probleme për shumë fshatra, duke përfshirë fshatin Bogovinë, Zherovjan, Radiofcë, Tenovë, fshatra që lidhen përmes një rruge të vetme por që detyrimisht duhet të kalojnë përmes këtij nënkalimi. Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të organizohen edhe protesta nga banorët për të gjetur zgjidhje për këtë nënkalim problematik.

 

 

Exit mobile version