Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj ministrit për Integrime Evropiane, Orhan Murtezani, pas, siç e quajnë nga BDI, “fushatës negative” të ndërmarra ndaj komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, pas deklaratave të kësaj të fundit gjatë vizitës në Shkup. Në një deklaratë të publikuar sot, BDI thekson se Kos është një “mike e sinqertë dhe e rëndësishme për vendin tonë”.
“Nuk duhej të lejohej që deklarata e Komisioneres se “identiteti nuk është çështje e kushteve politike, por thelb i dinjitetit njerëzor dhe shprehje e veçantisë së tij”, të kthehej në objekt fushate urrejtjeje dhe përqeshjeje. Aq më pak të nxitej një reagim i tillë nga burime afër pushtetit. Prandaj është tronditëse që Ministri për Integrime Evropiane Orhan Murtezani nuk e pa të arsyeshme të mbrojë publikisht këtë qëndrim, as t’i japë kuptim vlerave që vetë institucionin e tij e bëjnë të nevojshëm. Për më tepër, me qëndrimet e tij të pasakta dhe relativizuese, ai u bë pjesë e një qasje që rrezikon marrëdhënien me një prej zërave më të fuqishëm që mbështet rrugën tonë drejt BE-së. Në një kohë kur vendi ka nevojë për partneritete të qëndrueshme dhe udhëheqje të qartë në procesin e integrimit, kjo heshtje dhe në disa raste justifikim i qëndrimeve nacionaliste nuk është dështim teknik, por dështim politik. Ministri për Integrime Murtezani ka një përgjegjësi thelbësore: të mbrojë kursin evropian, jo të heshtë kur ai sulmohet”, thonë mes tjerash nga BDI.