Nga VLEN thonë se në kuadër të bashkëpunimit mes partnerëve të Qeverisë dhe Ministrisë së Sportit, është miratuar mbështetje financiare për një sërë projektesh infrastrukturore sportive në disa komuna me shumicë shqiptare.
Sipas njoftimit zyrtar të kësaj platforme politike, investimet do të përfshijnë ndërtimin dhe rikonstruksionin e fushave sportive, këndeve të lojërave dhe objekteve multifunksionale në komunat Gostivar, Bogovinë, Zhelinë dhe Butel.
“Sporti është pjesë e pandashme e zhvillimit të shoqërisë. Këto projekte do të krijojnë kushte më të mira për aktivitete sportive dhe rekreative, veçanërisht për të rinjtë”, thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Kjo iniciativë është pjesë e planit zhvillimor të Ministrisë së Sportit për vitin 2025, dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës lokale sportive në vend.
“Këto investime janë dëshmi e përkushtimit tonë për barazi zhvillimore dhe përfshirje të drejtë të shqiptarëve në shpërndarjen e investimeve publike”, thekson më tej VLEN.
Nga VLEN thonë se rezultatet e arritura vijnë si rrjedhojë e një përfaqësimi dinjitoz dhe veprues të shqiptarëve në pushtet, i cili po sjell ndryshime të prekshme për qytetarët.
“Po dëshmojmë se ndryshimi është i mundur, kur prioritetet vendosen në funksion të qytetarëve”, thuhet në fund të komunikatës.
VLEN shpreh përkushtimin për të vijuar me projekte të ngjashme në të gjithë territorin, duke synuar një zhvillim të balancuar dhe kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët.