Site icon Tetova Expres

BDI: Qeveria një etnike ka marrë peng të ardhmen evropiane të vendit

Në hije të debaklit të madh në Parlamentin Evropian, po kalon në heshtje lajmi se shteti ka humbur pothuajse 40 milionë euro nga Plani për Rritje i Bashkimit Evropian. Këto mjete nuk ishin simbolike, akuzojnë nga BDI.

“Ato ishin të destinuara për mbështetjen e reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë, energjetikën, arsimin dhe standardin jetësor të qytetarëve. Por paaftësia, mungesa e koordinimit dhe kaosi institucional u bënë pengesë edhe për tërheqjen e fondeve tashmë të aprovuara.

Ministria e Energjisë ka marrë vlerësim negativ nga Brukseli për reformat që duhej të zbatoheshin deri në dhjetor 2024, duke e lënë shtetin pa 2.1 milionë euro. E njëjta ministri nuk i ka përmbushur as detyrimet për qershor 2025, duke humbur edhe të paktën 10 milionë euro të tjera. Ndërkohë, edhe Ministria e Financave ka dështuar në të njëjtën mënyrë, duke humbur pjesën më të madhe të 4.2 milionëve të parashikuara. Tre ministri, tre institucione kyçe dhe asnjë ndjenjë urgjence apo përgjegjësie.

Maqedonia e Veriut duhej të merrte 17 milionë euro për reformat deri në dhjetor dhe edhe 70 milionë euro për obligimet e qershorit. Në vend të kësaj, kemi një arkë reformash bosh, kredibilitet të humbur dhe një përulje të rëndë para partnerëve evropianë. Në një kohë kur rajoni përparon, shteti ynë vetë po i vë pengesa vetes, duke bllokuar rrugën jo vetëm drejt BE-së, por edhe drejt normalitetit.

Ky është një model qeverisjeje që prodhon ngecje, pasiguri dhe dëm ekonomik. Qeveria nuk e ka humbur vetëm besimin e Brukselit, ajo po e humb edhe besimin e vet qytetarëve. Askush nuk mund të flasë për zhvillim dhe mirëqenie, ndërkohë që bllokon fondet që janë të merituara, jo të dhuruara”, thuhet në kumtesën e sotme të BDI-së.

Advertisement

BDI kërkon një sqarim urgjent: “kush është përgjegjës për këtë humbje dhe çfarë do të ndërmarrë Qeveria për të mos lejuar një katastrofë tjetër? Sepse një shtet që nuk di t’i shfrytëzojë mundësitë, nuk ka të drejtë të ankohet për pengesat”.

Exit mobile version