Karvani ekonomik i ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ndaloi këtë të shtunë në Strugë, ku bashkë me drejtorin e Agjencisë për Punësim, Selatin Beluli, prezantuan masat e Planit Operativ për Punësim 2025.
Në takimin me struganët, ministri Durmishi theksoi se ky plan është një angazhim i qartë institucional, i mbështetur me 40 milionë euro buxhet, që synon ndërtimin e një tregu pune më të hapur, më gjithëpërfshirës dhe më të ndershëm për të gjithë.
“Ky plan është për ju; për të rinjtë që kërkojnë shansin e parë, për gratë që duan të fuqizohen ekonomikisht dhe për secilin që kërkon mundësi reale për përparim në vendin tonë”, theksoi ministri Durmishi.
Ai u zotua se çdo euro e këtij plani do të kthehet në mundësi konkrete për qytetarët, përmes masave të reja për vetëpunësim, praktikë, subvencione për bizneset dhe mbështetje për grupet më të rrezikuara nga papunësia.
Struga ishte ndalesa e radhës në kuadër të karvanit informues që po zhvillohet në gjithë vendin me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve mbi masat dhe mundësitë që ofron Plani Operativ për Punësim.