Pas vitesh neglizhencë, pa kontrata të rregullta dhe pa mbështetje institucionale, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore më në fund po merr trajtimin që i takon. Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, i cili njoftoi për një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së dinjitetit të artistëve shqiptarë. “Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, kemi punuar me përkushtim për ta zgjidhur këtë padrejtësi. Sot ndihem krenar që një nga zotimet më të rëndësishme për kulturën shqiptare po bëhet realitet”, u shpreh Sulejmani.
Sipas tij, aktualisht 38 artistë të Ansamblit janë të punësuar me vendim të përhershëm, përkatësisht: b9 instrumentistë të orkestrës, 8 këngëtarë, 21 valltarë.
Përveç administratës së rregulluar më parë, ky vendim shënon një kthesë të madhe në trajtimin institucional të artistëve të Ansamblit.
Zëvendësministri Sulejmani theksoi se puna nuk ndalet këtu, pasi prioritet mbetet zgjidhja e statusit për 4 valltarë dhe një defator, të cilët ende nuk janë të përfshirë në vendimet e përhershme, por për të cilët do të bëhet “e pamundura” që shumë shpejt të jenë të barabartë me kolegët e tyre. “Kjo është puna që flet vetë. Kjo është kultura që mbështesim me zemër. Ansambli do të jetë burim krenarie për shqiptarët, kudo që ndodhen”, përfundoi njoftimin Sulejmani.