Site icon Tetova Expres

Zjarrfikësit në terren përballë 10 zjarreve në Kumanovë – kërkohet ndihma edhe nga banorët për shuarjen

Rreth mesditës, disa vatra zjarri kanë shpërthyer në territorin e Komunës së Kumanovës dhe përhapja e tyre vazhdon me intensitet. Deri më tani janë regjistruar të paktën dhjetë zjarre në zona të ndryshme, përfshirë fshatrat Çetircë, Tabanoc, Rramanli,Kojnare e Epërme, vendin e njohur si “Palestinë”, lagjen “Pero Çiço”, rrugën “Gjuro Pucar Stari”, fshatin Mllado Nagoriçan, afër Etno Fshatit dhe në disa vende të tjera .

Komandanti i zjarrfikësve të Kumanovës, Dean Ilievski, theksoi se ekipet janë të shpërndara në terren dhe po përpiqen maksimalisht për të kontrolluar zjarrin, ndërsa situata përkeqësohet për shkak të shpërthimeve të reja. Në Mllado Nagoriçan, zjarri është afruar pranë shtëpive, ndaj janë dërguar menjëherë dy automjete ndërhyrjeje.

Për shkak të situatës serioze, zjarrfikësit kanë kërkuar ndihmë edhe nga kolegët jashtë orarit të punës, ndërsa u bëjnë thirrje banorëve lokalë të ndihmojnë në përballimin e kësaj stihie. Era e fortë po përhap me shpejtësi flakët, duke e bërë ndërhyrjen edhe më të vështirë.

Aktualisht, qyteti është i zhytur në tym si pasojë e zjarreve.(INA)

Exit mobile version