Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka reaguar me tone të ashpra pas thirrjes së ambasadorit të saj në Shkup në Ministrinë e Jashtme, duke e cilësuar këtë hap si të papritur dhe të pajustifikuar. Në një deklaratë zyrtare, MPJ bullgare thekson se është befasuese që ky veprim vjen në një kohë kur, sipas saj, për muaj me radhë, përfaqësues të lartë të qeverisë maqedonase kanë transmetuar mesazhe dhe veprime armiqësore ndaj Bullgarisë. Sipas deklaratës, ambasadori bullgar në Maqedoninë e Veriut ka theksuar mungesën sistematike dhe të qëllimshme të respektit nga autoritetet në Shkup ndaj Bullgarisë, në qëndrimet e tyre publike. Ministria bullgare gjithashtu shpreh “shqetësim serioz” për një sërë deklaratash “të ashpra, manipuluese dhe shpesh fyese” nga përfaqësues të lartë të qeverisë maqedonase, që nuk kanë pasur në shënjestër vetëm Bullgarinë, por edhe Bashkimin Evropian.
Reagimi përfshin edhe një dënim të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, për përdorimin e një gjuhe të ashpër ndaj ministrit të jashtëm bullgar.
“Këto deklarata janë të papërputhshme me normat minimale të dialogut diplomatik dhe politik, si dhe me parimet e fqinjësisë së mirë,” thuhet në deklaratë.
Mickoski një ditë më parë, i pyetur për të komentuar ministrin e Jashtëm bullgar Georg Georgiev, që e quajti “kryeministër verimaqedonas” kishte deklaruar se atij ashtu i është dhënë për detyrë.
“Nuk do të komentoja për atë djalë. Ju bëj thirrje juve, mediave, lëreni atë djalë aty. Ajo është një qeveri që dikush tjetër po e drejton në sfond, ata njerëz duhet të bëjnë punën e tyre që u është thënë dhe atij i është dhënë tyre “tani shko tallu”. Është si kur një mi ngacmon një luan”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Shteti bullgar thotë se këto deklarata jo vetëm që dëmtojnë besimin mes dy vendeve, por hedhin dyshime serioze mbi angazhimin e vërtetë të Maqedonisë së Veriut për respektimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe përkushtimin ndaj integrimit evropian.
“Bullgaria nuk do të tolerojë gjuhën e urrejtjes, sulmet personale dhe përpjekjet për të shtyrë me qëllim përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Deklaratat e tilla krijojnë një klimë armiqësie dhe nuk tregojnë vullnet politik për rikthim në një dialog normal, respektues dhe konstruktiv”, përfundon reagimi i Ministrisë së Jashtme bullgare. /Alsat.mk