Site icon Tetova Expres

I dënuari me burg të përjetshëm në rastin “Lagja e Trimave”, Demë Shehu është dërguar nga Idrizova në Shtip 

I dënuari me burg të përjetshëm në rastin “Lagja e Trimave”, Demë Shehu është dërguar jashtë procedurave ligjore për të vuajtur dënimin në një burg tjetër, përkatësisht është dërguar nga Idrizova në Shtip. Në këtë burg nuk ka kushte për sistemimin e të burgosurve që vuajnë dënime të përjetshme. Mësohet jo zyrtarisht se Shehu është sistemuar në qeli në kundërshtim me Ligjin për Zbatimin e Sanksioneve. Që nga e dita e martë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve heshtin rreth pyetjeve tona se për cilat arsye Demë Shehu është dërguar nga Idrizova në Shtip. Sektori për marrëdhënie me publikun as nuk na ka konfirmuar nëse ka pranuar kërkesën tonë dhe nëse do të përgjigjet ose jo të paktën brenda afateve ligjore.Komunikuam me Avokatin e Popullit nga ku na njoftuan se ka rast të evidentuar mbi denoncimin e bashkëshortes së Shehut. Shërbimet e Avokatit të Popullit na thanë se janë informuar nga Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve se vendimi për Shehun është marrë për shkak të sjelljeve të tij ndaj gardianëve, refuzimeve që ka bërë për t’i kontrolluar ushqimin që i kanë sjell familjarët dhe mos respektimin e rregullave të burgut.Demë Shehu ndodhet në vuajtje të dënimit të përjetshëm si i akuzuar për terrorizëm në rastin Lagja e Trimave. Ai disa herë ka qenë objekt i bastisjeve brenda qelisë ku ishte sistemuar me arsyetimin se përdorë celular dhe mbanë armë të ftohta. Deri tani mjete ilegale apo që bien në kundërshtim me ligjin në qelinë e tij nuk janë gjetur.

Exit mobile version