Gjatë 24 orëve të fundit, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 38 zjarre në natyrë. Tre prej tyre janë ende aktive, pesë janë vënë nën kontroll, ndërsa 30 janë shuar tërësisht.
Siç njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, situata më kritike është në komunat e Dojranit, Velesit dhe Makedonski Brod.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, thonë se fokusi i luftës kundër zjarrit sot është vendosur në zjarrin mbi fshatin Nikoliq të komunës së Dojranit, vatra e të cilit është aktive tash e disa ditë ndërsa behet fjalë për terren të pa arritshëm në disa vende aspak të qasshme.
“Nga toka, zjarrin e shuajnë ekipe të zjarrfikësve të Vallandovës, me ndihmë të zjarrfikësve të Strumicës, ndërsa më shumë ekipe kemi nga Pyjet Nacionale të cilët udhëhiqen nga zv. Drejtori Kire Mihailov. Përkrah këtyre ekipeve janë dërguar edhe katër pinzgaverë të QMK-së të cilët janë lartë në kodra dhe që japin efekt të shkëlqyer sepse mund të mbartin 1.5 tonë ujë atje ku është nevoja dhe kanë edhe pompa që uji mund të përdorët mbi kaçubet dhe barishtet që po digjen”, tha Stojançe Angelov – Drejtor i Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, në shuarjen e zjarrit edhe sot ishin aktivizuar një helikopter i armatës, një helikopter i policisë dhe një ER Traktor i DMSH-së. Sipas Angelovit, sot pritet që të aterojë në aeroportin e Shkupit edhe ER Traktori i dytë i cili kthehet nga servisimi dhe nga nesër do të bashkohet në shuarjen e zjarreve në vend.
Ndër zjarret e shuar ka edhe në zona me bimësi të ulët, mbeturina dhe madje edhe një shtëpi banimi. Intervenime janë bërë në vendbanime dhe afër objekteve në qytetin e Shkupit, Kumanovës, Prilepit, Manastirit dhe Kavadarit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të lartë dhe shmangie të zjarreve në natyrë e sidomos gjatë temperaturave të larta./Alsat.mk