Site icon Tetova Expres

Institucionet të gatshme të krijojnë parkun memorial për 14 viktimat që u dogjën në spitalin modular në Tetovë, por nuk kanë vendosur ende kur dhe si

Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular muajin e kaluar dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozojnë që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.

Hapsira ku ishte spitali modular momentalisht është shndërruar në parking, ku ka edhe disa vetura të vjetra.

Institucionet për Portalb.mk thanë se do të punojnë që kjo kërkesë të bëhet realitet.

“Pres shumë shpejtë të kemi takim me drejtorin e ri të spitalit, besoj që një ndër temat për të cilat do duhet të bisedojmë është edhe kjo çështje. Shpejtë do të realizojmë takim ku do ta ngremë këtë çështje”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës. 

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë theksuan se shqyrtojnë mundësinë për të përkujtuar në mënyrë të denjë tragjedinë në Tetovë, përmes krijimit të një hapësire përkujtimore që do t’i nderojë viktimat, por njëkohësisht do të përcjellë mesazh për përgjegjësi, dhembshuri dhe përkushtim ndaj ndryshimeve sistematike.  

Advertisement

“Në këtë drejtim, e mirëpresim kërkesën e pranuar nga lëvizja “Nisma Zero” si një shtytje shtesë për këtë proces. Ministria po ndërmerr një proces konsultativ me të gjitha palët e përfshira, familjet e viktimave, organizatat qytetare, komunën dhe institucione të tjera – me qëllim që në një frymë të përbashkët dhe me mbështetje të duhur institucionale të krijohet një park përkujtimor, i cili do të shërbejë si simbol i ndërgjegjes kolektive dhe një kujtesë e përhershme”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë. 

Exit mobile version