Pavarësisht se ishte caktuar për sot, procesi gjyqësor për dyshimet e keqpërdorimeve financiare gjatë ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, ku disa persona fizikë dhe juridikë përfituan jashtëligjshëm mbi 13 milionë, është shtyrë për më 17 shtator në ora 10:30, shkruan Portalb.mk.
Seanca u shty nga gjykatësi Elvedin Ferati për shkak se personi juridik i akuzuar “Urban Plan” nuk pati përfaqësues në seancë.
Në këtë rast akuzohen personi juridik “Urban Plan” si dhe personat fizikë Sejdi Sharivari, Haki Fazliu, Artan Arsllani dhe Bujar Muça.
Avokatët e të akuzuarve theksuan se kanë vetëm ftesë për seancë dhe se nuk janë të njoftuar me aktakuzën dhe listën e dëshmive për këtë rast.
Pas shtyrjes së seancës, Artan Arsllasni tha se deri tani nuk janë të njoftuar me asgjë për lëndën dhe se gjithçka kanë kuptuar vetëm përmes mediave.
“Tani mbetet që ta marrim lëndën dhe ta shqyrtojmë se për çfarë bëhet fjalë. Kjo është ftesa e parë që na bëhet. Ju vetë keni qenë pjesëmarrës në punimet që janë bërë aty, shumë mirë e dini si ka mbarëvajtur puna, nuk ka qenë e lehtë, sepse nuk kemi pasur ekipim, Ne punën tonë e kemi kryer në mënyrë më profesionale dhe besoj se gjyqësia do të vijë në vend, faktet janë të gjitha, nuk ka pse shqetësim. Normal nuk janë pak mjete, shteti e ka për detyrë t’i kontrollojë këto mjete, faktet janë, pagesat edhe të dëshirosh n t’i dërgosh diku tjetër nuk kalojnë, gjithçka është e pastër, le të kalojë si procedurë do të shohim pastaj se si”, tha Arsllani.