Evropa e sigurt, uniteti dhe në kuadër të tij edhe zgjerimi, janë në grupin e parë të prioriteteve të Danimarkës gjatë presidencës së saj me Këshillin e BE-së. Në grupin e dytë është Evropa e gjelbër. Ambasadorja e Danimarkës me bazë në Beograd sot para deputetëve në Kuvend tha se vendi i saj do të ndihmojë në zbatimin e reformave.
“Mesazhi më i rëndësishëm që kam sot për ju është mundësia për zgjerim që është më e madhe sot se sa që ka qenë për një kohë më të gjatë. Do të donim ta shihnim Maqedoninë e Veriut si pjesë e grupit të ardhshëm të vendeve që do të bëhen anëtare të BE-së. E dini se çfarë duhet të bëni kurse ne jemi këtu t’u mbështesim dhe t’u ndihmojmë që kjo të ndodhë. Duhet ta shfrytëzoni mundësinë. Nuk mund të jepen garanci por mundësia e zgjerimit është këtu,” tha Pernille Dahler Kardel, Ambasadore e Danimarkës.
Pushteti kërkon angazhim më të shtuar që BE-ja të mos trajtojë çështjet bilaterale si kushte.
“Kriteret e Kopenhagës duhet të jenë përsëri matësi me të cilin matet përparimi. Jo kushtëzimet bilaterale por kapacitetet institucionale, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe legjitimiteti demokratik. Danimarka e kupton këtë realitet, jo vetëm si detyrë teknike por edhe si detyrim politik,” deklaroi Orhan Murtezani, Ministër për Eurointegrime.
“Vërejtja ime personale është se BE-ja ka një mangësi serioze, nuk ka kapacitet të flasë njëzëri në nivel global, nuk ka kapacitet të flasë njëzëri madhe edhe në temën e zgjerimit, për aq kohë sa vendoset unanimisht në këto tema. Vendimet njëzëri mundësojnë që një vend anëtar për arsye joracionale ose keqpërdorim të problemeve bilaterale të pengojë procese që kanë rëndësi më të madhe se sa cilatdo tema bilaterale,” tha Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Opozita me qëndrime të ndara sa i takon prioriteteve të presidencës daneze.
“Vlerësoj se edhe zgjerimit, sipas raportit të presidencës daneze i vendoset theks i madh, është për t’u përshëndetur. Vlerësoj se edhe zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor përskaj Ukrainës dhe Moldavisë, tani vendoset në kontekst të sigurisë së përbashkët të BE-së,” deklaroi Venko Filipçe.
“Ajo që bie në sy është që gjatë presidencës polake, zgjerimi me Ballkanin perëndimor, duke e përfshirë edhe Maqedoninë, ishte prioritet i theksuar. Polonia ishte proaktive duke e mbajtur vendin në qendër të agjendës së zgjerimit dhe duke i ofruar ndihmë diplomatike. Tani e shohim se ka një kthim pas. Danimarka e mbështet politikën e zgjerimit por në bazë të meritave duke ofruar ndihmë për agjendën e reformave dhe planin e rritjes,” tha Halil Snopçe, ASH.
Kjo është hera e tetë që Danimarka merr presidencës e Këshillit të BE-së. /aslsat.mk