Site icon Tetova Expres

Sulejmani në mbylljen e festivalit “Këngë Jeho”: Trashëgimia jonë kulturore është ura më e fortë që na lidh me botën

Zëvendësministri i Kulturës nga radhët e VLEN, Sedat Sulejmani, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 34-të të festivalit tradicional “Këngë Jeho”, i cili u zhvillua përgjatë disa ditëve në qytetin e Strugës.

Në fjalën e tij përshëndetëse para publikut, zëvendësministri Sulejmani theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, përmes ngjarjeve artistike që mishërojnë vlerat tona historike dhe identitare. “Kam kënaqësinë t’ju përshëndes këtu, buzë Drinit të bukur të Strugës, në këtë edicion të 34-t të Festivalit ‘Këngë Jeho’, një festë e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore, që ka fituar zemrat e publikut brenda dhe jashtë vendit. Ky festival është dëshmi e vlerave tona artistike dhe e bashkimit përmes kulturës. Falënderoj organizatorët për përkushtimin dhe ju siguroj për mbështetjen tonë të vazhdueshme, veçanërisht në edicionin jubilar të vitit të ardhshëm”, tha Sulejmani.

Festivali “Këngë Jeho” këtë vit grumbulloi artistë dhe grupe muzikore nga Paraguai, Turqia, Bullgaria, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, si dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, duke ofruar një mozaik të pasur kulturor dhe folklorik.

Përmes një programi të pasur dhe pjesëmarrje të gjerë të publikut, festivali dëshmoi edhe një herë se kultura është ura më e fuqishme që lidh njerëzit dhe kombet, duke promovuar bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes popujve përmes artit dhe traditës.

Sulejmani u zotua se mbështetja institucionale për këtë dhe ngjarje të tjera të ngjashme do të vazhdojë, duke qenë se kultura shqiptare është dhe do të mbetet prioritet i veçantë i VLEN.

Advertisement
Exit mobile version