Site icon Tetova Expres

Komunikacion i rënduar në rrugët e Tetovës

Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje, ka dyfishuar numrin e automjeteve në rrugët e Tetovës. Kjo ka krijuar kaosin e zakonshëm për këtë periudhë, ku në mungesë të vendaparkimeve dhe dyndjes së qytetarëve kryesisht në pjesën qendrore shpesh herë rrugët bllokohen. Kështu, një vozitësi i duhet të paktën 30 minuta për të arritur nga qendra në njërën nga daljet e qytetit për Gostivar, Shkup ose drejt fshatrave Poroj dhe Xhepçisht. Ajo që ka më shumë punë në këtë kohë është policia rrugore e cila duhet që të kujdeset për mbarëvajtjen e komunikacionit.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se për shkak të periudhës që pason, gjegjësisht gjatë muajve të verës në zonën që mbulon SPB-Tetovë janë kthyer një numër i madh i mërgimtarëve që punojnë dhe veprojnë jashtë vendit, për këtë arsye po ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet në mënyrë të intensifikuar për të mundësuar qarkullimin normal dhe të rrjedhshëm nëpër zonat qendrore të qyteteve të Tetovës dhe Gostivarit, në raport me parkimin e gabuar dhe të paligjshëm të automjeteve.

“Gjatë muajit qershor dhe periudhës së kaluar të muajit korrik të këtij viti, për shkak të parkimit të gabuar dhe të paligjshëm, janë shqiptuar mbi 500 masa, kurse me anë të merimangës janë ngritur mbi 250 automjete që në mënyrë të drejt për drejtë kanë penguar qarkullimin në trafik, si dhe për kundërvajtësit janë përgatitur urdhërpagesat përkatëse dhe do të përballen me gjoba të parapara me ligj”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Njëkohësisht, policia dhe pushteti lokal kanë hapur oborret të disa shkollave fillore dhe të mesme, që gravitojnë në pjesët qendrore të dy qyteteve për të mundësuar parkimin e veturave me qëllim që të mundësohet parkim i rregullt i një numri më të madh të automjeteve dhe të mos ketë parkime të dyfishta.

“Gjatë kësaj kohe kemi liruar për parkim oborret e shkollave fillore dhe të mesme në pjesën qendrore me qëllim që të ketë më shumë hapësira parkimi për mërgimtarët. Në ndërkohë, në terren në vazhdimësi janë prezent edhe policia dhe shërbimi i merimangës, të cilët marrin veturat e parkuara në vende adekuate dhe e pengojnë qarkullimin e lirë të komunikacionit”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Advertisement

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, për shkak të periudhës së ardhshme të kthimit të mërgimtarëve tanë dhe rritjes së frekuencës së trafikut, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe tollovinë në trafik.

Edhe nga Policia edhe nga Komuna e Tetovës apelojnë që vozitësit të jenë më të kujdesshëm dhe të mos bllokojnë rrugët për shkak se dukshëm në këtë periudhë është rritur numri i intervenimeve në terren nga njësia e zjarrfikësve dhe ndihmës së parë, prandaj që të arrijnë në kohë këto automjete është e nevojshme që vozitësit të jenë të ndërgjegjshëm dhe të krijojnë hapësira për automjetet e emergjencës. (koha.mk)

Exit mobile version