Site icon Tetova Expres

Uria masive në Gaza, turp që nuk kapërdihet

“Ky është turp që është i vështirë të kapërdihet kur e sheh me sytë e tu. Është moralisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme”. Patriarku ortodoks gred, Theophilos III, ka thënë se kisha e tij “do të qëndrojë në solidaritet” me “të gjithë popullin e Gazës”

Udhëheqës fetarë të kishave në Jerusalem kanë thënë se janë rikthyer nga vizita në Gaza me “zemra të thyera”, teksa kanë përshkruar njerëzit e uritur dhe fëmijët e mësuar me zhurmat e bombardimeve. “Kemi parë burra që qëndrojnë në diell për orë me shpresën për një vakt ta thjeshtë”, ka thënë patriarku latin, kardinali Perbattista Pizzaballa. “Ky është turp që është i vështirë të kapërdihet kur e sheh me sytë e tu. Është moralisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme”. Patriarku ortodoks gred, Theophilos III, ka thënë se kisha e tij “do të qëndrojë në solidaritet” me “të gjithë popullin e Gazës”, raportoi BBC.

Dy patriarkët zhvilluan vizitën e rrallë në Gazën e shkatërruar nga lufta pasi Izraeli goditi kishën katolike në Gaza javën e kaluar.

“Tre njerëz vdiqën nga komuniteti ynë, por mijëra kanë vdekur tashmë në Gaza”, ka thënë Pizzaballa. Edhe pse Ministria e Jashtme italianë pati lajmëruar se patriarkët janë futur në Gazë me 500 tonë ndihma, Pizzaballa ka thënë se “asnjë gram” ende nuk ka hyrë për shkak të problemeve logjistike. Ai përshkroi dëshpërimin e atyre që u kishin dalë përpara me shpresën për të marrë diçka. Pizzaballa dhe Theophilos III kanë thënë se takuan njerëz tepër të uritur.

MË SHUMË SE 100 ORGANIZATA HUMANITARE PARALAJMËROJNË PËR URI MASIVE

Advertisement

Më shumë se 100 organizata humanitare kanë paralajmëruar të mërkurën se “uria masive” po përhapet në Rripin e Gazës, ka raportuar AFP. Izraeli është duke u përballur me presion të shtuar ndërkombëtar për shkak të situatës katastrofike humanitare në territoret palestineze, ku më shumë se 2 milionë njerëz përballen me mungesë të rëndë ushqimi dhe nevojash të tjera bazike pas 21 muajsh të konfliktit, që u nxit nga sulmi i Hamasit në Izrael. Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë deklaruar të martën se forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 1,000 palestinezë që përpiqeshin të merrnin ndihmat ushqimore që nga fundi i muajit maj, kur edhe e filloi punën Fondacioni Humanitar i Gazës  – i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – duke anashkaluar sistemin ekzistues të drejtuar nga OKB-ja.

Deklarata e përbashkët e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mjekët pa Kufij, “Save the Children” dhe “Oxfam”, ka paralajmëruar se “kolegët tanë dhe ata që ne ndihmojmë po zhduken nga uria”.

Organizatat kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze, hapjen e të gjitha pikave tokësore dhe lejimin e lirë të ndihmave përmes mekanizmave të udhëhequr nga OKB-ja. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ndihmat humanitare po lejohen të hynë në Gazë teksa e kanë akuzuar Hamasin për keqpërdorim të vuajtjeve civile, përfshirë vjedhjen e ndihmave ushqimore për t’i shitur ato me çmime më të larta apo për të hapur zjarr ndaj atyre që i presin furnizimet. Në deklaratën e tyre, organizatat humanitare kanë bërë të ditur se magazinat e mbushura me ndihma qëndrojnë të paprekura jashtë dhe brenda territorit, pasi janë bllokuar për të hyrë apo për t’u shpërndarë.

“Palestinezët janë të bllokuar në një cikël shprese dhe zhgënjimi, duke pritur për ndihma dhe armëpushim, vetëm që të zgjohen në kushte gjithnjë e më të këqija. Nuk është vetëm mundim fizik, por edhe psikologjik. Mbijetesa u paraqitet si iluzion”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

IZRAELI E QUAN TË RREMË PARALAJMËRIMIN E 100 ORGANIZATAVE HUMANITARE

Advertisement

Zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, ka thënë të mërkurën se deklarata e përbashkët e nënshkruar prej më shumë se 100 organizatave humanitare, e cila paralajmëron për zgjerimin e krizës së urisë në Rripin e Gazës dhe njëkohësisht bën thirrje për armëpushim, është e rremë dhe s’përkon me realitetin në terren. Ai ka thënë se pretendimet për uri masive kanë qenë të vazhdueshme përgjatë zhvillimit të konfliktit, porse ajo s’është shkaktuar asnjëherë nga Izraeli, ka shkruar BBC. Sipas tij, uria është taktikë e përdorur prej grupit militant palestinez, Hamas, për të ushtruar më shumë trysni ndaj shtetit hebraik.

“Çdo herë që ka krizë të urisë në Gazë, ajo është e orkestruar nga Hamasi”, është shprehur Mencer. “Ata po përpiqen të parandalojë shpërndarjen e ushqimit duke plaçkitur kamionët me ndihma”.

Sa u përket bisedimeve për armëpushim, ai e ka akuzuar sërish Hamasin se po e refuzon propozimin e Katarit. Ekipi negociator izraelit ndodhet ende në Doha, dhe se informacioni i vetëm zyrtar tani për tani është se Izraeli po e pret përgjigjen përfundimtare të grupit militant. Mencer ka shtuar se Izraeli kërkon që pengjet e mbajtura në enklavën palestineze të lirohen menjëherë, tek ka nënvizuar se “ne kemi 50 pengje që po mbahen aty, disa prej tyre janë vrarë e disa të tjerë janë ende gjallë”.

Exit mobile version