Huliganët polakë të klubit Jagiellonia janë sulmuar të enjten mbrëma nga tifozët boshnjakë të Novi Pazarit. Novi Pazari dhe Jagiellonia u takuan të enjten në Novi Pazar, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Atmosfera para dhe gjatë ndeshjes së Ligës së Konferencës ndërmjet Novi Pazarit dhe Jagiellonias ka qenë e mbushur me tension dhe përplasje të dhunshme. Të enjten në mbrëmje, në qytetin e Novi Pazarit, pranë kufirit me Kosovën, tifozët boshnjakë u përleshën me një grup huliganësh polakë të ardhur për të mbështetur ekipin e tyre.
Përleshja ka filluar kur tifozët polakë, të njohur si pro-serbë filluan thirrje provokuese kundër Kosovës.
Sipas raportimeve nga mediet lokale dhe rrjetet sociale, përplasjet fizike kanë ndodhur që përpara fillimit të takimit, me të paktën një tifoz polak të lënduar si pasojë e përleshjes.
Grupi i tifozëve ekstremistë të Jagiellonias kishte shfaqur që më herët qëndrime hapur anti-Kosovë, përmes sloganeve dhe deklaratave provokuese para udhëtimit në Serbi. Kjo retorikë u pasua edhe gjatë ndeshjes, ku huliganë serbë që ndodheshin në stadium brohoritën slogane të njohura nacionaliste si “Kosova është Serbi”.