Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 80 vota “për” dje pasdite miratoi Ligjin për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, me të cilin nxënësve të shkollave fetare u lejohet të japin testin e maturës dhe të regjistrohen nëpër universitetet shtetërore.Votimi u mbështet edhe nga deputetët e Frontit Evropian të cilët votuan edhe në raundin me badenter.Kjo zgjidhje ligjore vjen pasi më 30 prill të këtij viti Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Qeverisë së kryeministri teknik Talat Xhaferi, me të cilin Medreseja Isa Beu mori statusin e shkollës së mesme private – gjimnaz.Sipas kushtetueses, vendimi i Xhaferit kishte qenë antikushtetues dhe antiligjor dhe me të njëjtin është shkelur parimi i sekularitetit të shtetit.Ligji që kaloi në kuvend tejkalon problemin shumëvjeçar të medresantëve të cilët nuk mundeshin të vazhdonin shkollimin e lartë në universitetet shtetërore.Korniza, sipas shumicës parlamentare është bërë në përputhje me Kushtetutën, ligjin për Arsim të Mesëm si dhe Ligjin për Statusin Juridik të Kishës, Bashkësisë Fetare Islame dhe Grupit Fetar në vend.Byroja për Zhvillimin e Arsimit do të jetë ombrella e përputhshmërisë së planprogrameve të këtyre shkollave fetare, konkretisht shkollës Teologjike Ortodokse Maqedonase “Shën Klimenti i Ohrit” Shkup dhe Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” – Shkup.Planprogramet e këtyre shkollave do të përputhen me Konceptin për maturën shtetërore, Maturën shkollore dhe Provimin përfundimtar të miratuar nga Ministria e Arsimit.Duke falënderuar Qeverinë, Bashkësia Fetare Islame theksoi se me votimin e ligjin, nxënësit e Medresesë tash e tutje do të jenë të barabartë me nxënësit e të gjitha shkollave tjera në vend.