Nga 4 gushti, pacientët onkologjikë do të mund të marrin terapinë me tableta (“anastrozol” dhe “letrozol”) në farmaci, njoftoi Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), transmeton Portalb.mk.
“Sot do të publikohet shifrori, i vlefshëm nga 4 gushti, kur pacientët do të mund të marrin terapinë nga një farmaci me recetë. Kjo do të thotë që pacientët së pari duhet të marrin raport nga një onkolog, pastaj të marrin recetë nga mjeku i tyre amë dhe prej andej të marrin ilaçet në farmaci. Tarifa e pjesëmarrjes për këtë shërbim do të jetë rreth 50 denarë”, tha Sasho Klekovski, drejtori i FSSH.
Drejtori i Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, Igor Stojkovski, njoftoi se javën e ardhshme do t’i informojë pacientët onkologjikë se ku dhe kur mund të marrin injeksionin hormonal “Resiligo”.
Klinika e Onkologjisë vazhdimisht përballet me mungesë terapie. Në qershor të këtij viti u raportua për mungesë të kimioterapisë me “Taxol”. Një pacient me kancer në mëlçi u ankua në redaksinë e “Sloboden Peçat” se është jashtëzakonisht i mërzitur që procesi i trajtimit të tij po kompromentohet nga mungesa e kimioterapisë.
Drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Igor Stojkovski, tha se ilaçi pritet të mbërrijë në fillim të korrikut.
“Ka defekt në shpërndarje. Vetë furnizuesi na informoi se “Taxol” pritet në fillim të muajit të ardhshëm. Nuk varet nga ne, por nga fakti që ka një problem me prodhimin e ilaçit”, tha Stojkovski.
Kujtojmë se edhe në fund të janarit, pacientët onkologjikë ngritën alarmin se një pjesë e madhe e barnave që marrin si terapi biologjike për mjekim, mungonin.
Ish-ministri i Shëndetësisë Arben Taravari nga ana tjetër, tha se nuk ishte në dijeni që pacientët onkologjikë nuk kishin terapi.