Site icon Tetova Expres

Tetova nikoqire e panairit të artizanateve

Është mbajtur në rrugën e butiqeve në Tetovë për herë të dytë Panairi I Artizanatave. Dhjetëra pjesmarrës kanë ekspozuar punimet e tyre artizanale në këtë panair, kryesisht nga  Tetova, Kosova dhe Shqipëria.  Pjesëmarrësit në këtë panair shprehen të kënaqur me interesimin por kërkojnë që panairi të mbahet më gjatë dhe jo vetëm një ditë. Ky është Naim Abduramani, prodhues i qiftelisë i cili për herë të dytë merr pjesë në këtë panair në Tetovë. Shprehet se më të interesuar janë mërgimtarët për të blerë qifteli dhe defa.

Artizanati Shqiptar  është i njohur për një traditë tepër të pasur të artizanatit me vlera të çmuara, të krijuar prej shekujsh nga mjeshtrat popullorë, në çdo krahinë të saj, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme gjeografike, duke u spikatur me shumllojshmërinë e saj.  Në këtë panair në Tetovë të pranishëm ishin edhe pjesëmarrës nga Pogradeci dhe Kavaja.

Ky Panari organizohet nga Komuna e Tetovës. Në mesditë ky panair u vizitua nga kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai është shprehur se tashmë, rrugës së butiqeve i është rikthyer shkëlqimi i dikurshëm me investimet e bëra kohës së fundit. Ai shfaqi shpresë se në të ardhmen ky eveniment do të ndikojë në rritjen edhe të turistëve që vijnë  në Tetovë. Kasami tha se Panairi i Artizanateve në Tetovë ka vënë Tetovën në hartën e qyteteve të cilët kanë se çka të ofrojnë për vizitorët, sepse janë punime të bëra në dorë.

Panairi i Artizanateve mbahet në kuadër të manifestimeve Tetova n`festë dhe titullohet “Artizanati, mjeshtëri që përçon identitetin”.TV KOHA

Exit mobile version