Site icon Tetova Expres

Krerët e shtetit me urime për Ilindenin: Dita e Republikës është simbol i lirisë, unitetit dhe përgjegjësisë ndaj së ardhmes

Me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Ilindenit, krerët më të lartë të shtetit, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe kryeministri Hristijan Mickoski, u drejtuan me mesazhe urimi për qytetarët, duke theksuar rëndësinë historike dhe aktuale të kësaj dite.

Presidentja Siljanovska-Davkova tha se Ilindeni është më shumë se festë – është thelbi i historisë dhe shtetësisë.

“Republika nuk trashëgohet, por fitohet dhe meritohet. Ilindeni na obligon të ndërtojmë një shtet ku ia vlen të jetohet”, theksoi ajo, duke përkujtuar figurat historike si Dame Gruev dhe Goce Dellçev.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u shpreh se Ilindeni është simbol i luftës për një shoqëri të lirë, të barabartë dhe demokratike.

“Le të jetë ky ditë frymëzim për më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim, pavarësisht dallimeve”, tha ai.

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se Ilindeni nuk është vetëm histori, por një identitet i gjallë dhe kujtesë për luftën për liri dhe drejtësi.

“Ajo përpjekje është arritur, por nuk ka përfunduar. Institucionet, veçanërisht Qeveria, duhet ta vazhdojnë këtë betejë me ndershmëri dhe rezultate konkrete”, tha ai.

Të tre krerët e shtetit bënë thirrje për unitet, vazhdim të rrugës drejt një të ardhmeje evropiane dhe forcim të shtetit mbi themele të qëndrueshme historike dhe demokratike.

Exit mobile version