Site icon Tetova Expres

Ujëmatës dhe kyçje në ujësjellës për lagjen “146”

Pas shumë problemeve me ujin e pijshëm, më në fund në lagjen 146 në Tetovë filloi kyçja në rrjetin e ri të ujësjellësit. Paralelisht me këtë ka filluar edhe vendosja e ujëmatësve. Me këtë pritet që të zgjidhet problemi shumëvjeçar për këta banorë të cilët me dhjetëra herë kanë kërkuar nga autoritetet lokale që të gjendet zgjidhje për ujin e pijshëm. Në këtë lagje e cila ka infrastrukturë problematike për shkak se është e vendosur në kodër (rrugës për në Kodrën e Diellit), procesi i kyçjes së amvisërive në rrjetin e ujësjellësit dhe vendosja e ujëmatësve pritet që të sjell ujë të mjaftueshëm për këta banorë.

Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, ky projekt do t`i kushtojë rreth 1.5 milionë euro ndërsa banorët nuk do të paguajnë asgjë. “E gjithë lagjeja 146 së bashku me lagjen 188 do të furnizohen nga rrjeti i ri i ujësjellësit. Janë diku rreth 3 mijë shtëpi. Pra, e gjithë kjo zonë do të ketë kyçje në rrjet deri tek rruga e Lubotenit. Për çdo shtëpi do të ketë kyçje të re dhe ujëmatës. Një kyçje dhe një ujëmatës ndërmarrjes i kushton rreth 500 euro, ndërsa i tërë projekti kushton 1.5 milionë euro, komplet is projekt. Banorët nuk të paguajnë për kyçje dhe ujëmatës por më pas uji do të faturohet në bazë të harxhimeve”, deklaroi Valon Zeqiri, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”.

Banorët shprehen se krahas ujit të pijshëm, në këtë lagje mungon edhe rrjeti i kanalizimit fekal dhe atmoseferik. Sipas banorëve, erë e rëndë kundërmon sidomos gjatë stinës së verës. Ata kërkojnë që edhe ky problem të merret parasysh nga autoritetet lokale. “Besojmë se problemi me ujin e pijshëm do të zgjidhet, ndërsa është një problem tjetër. Këtu tërë kanalizimi përfundon në oborrin tim. Para shtëpisë sime vjen erë e rëndë sepse ka një rrjet kanalizimi i parregulluar dhe i tërë uji i kanalizimeve prej lart kalon përmes shtëpisë time. Kemi bërë kërkesë, nuk është bërë asgjë. Ne i paguajmë faturat, por problemi nuk zgjidhet. Jemi mirënjohës për ujin por kanalizimi është shumë problem për neve”, thotë një mërgimtar.

Për shkak të poztës gjeografike, kjo lagje gjithmonë ka patur probleme me ujin e pijshëm, kanalizimin dhe mungesë të infrastrukturës së mirëfilltë. Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” shpresojnë se përfundimisht problemi me ujin e pijshëm në këtë lagje do të zgjidhet, ndërsa kyçja në rrjetin e ri të ujësjellësit dhe vendosja e ujëmatësve do të vazhdojë edhe në lagjet tjera.

TV KOHA

Advertisement
Exit mobile version