Site icon Tetova Expres

VLEN: BDI e ktheu MO-në në mjet pasurimi personal dhe mbulim të dështimeve

VLEN ka akuzuar BDI-në se për 22 vite në pushtet nuk arriti ta realizojë Marrëveshjen e Ohrit.

“Janë bërë 24 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, dokumenti më i rëndësishëm për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por hija e moszbatimit të saj të plotë vazhdon të rëndojë mbi institucionet shtetërore.
Fajtorin kryesor e dimë të gjithë: BDI, partia nongrata që për 22 vite rresht ishte në pushtet dhe që, në vend se ta kthente Marrëveshjen në realitet, e përdori si flamur elektoral dhe si bankomat për pasurim personal.

Faktet flasin vetë: Në vitin 2013, ish-Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit shpalli tender prej 6 milionë denarësh për një “analizë” mbi zbatimin e marrëveshjes. Fitues, sipas informacioneve, ishte kompania “TAG Komunikacii”, në pronësi të një emri të njohur për afërsinë me BDI-në dhe për pozitën e tij në strukturat shtetërore të kontrolluara nga kjo parti!

Paratë e qytetarëve u shpenzuan për “analiza”, “konferenca” dhe “tribuna”, ndërsa nga ana tjetër krijuan iluzion rreth progresit. Analizat e paguara shtrenjtë rekomandonin masa që BDI nuk i zbatoi kurrë: detyrime ligjore për përfaqësim të drejtë në kompanitë shtetërore, adresim të gjuhës së urrejtjes në Kodin Penal, decentralizim me buxhet konkret dhe zgjidhje të statusit të viktimave të vitit 2001.
Asnjë nga këto nuk u bë realitet sepse për BDI-në, Marrëveshja e Ohrit nuk ishte mjet për barazi, ishte mjet për tendera, pasurim dhe për t’u fshehur pas analizave të sajuara sa herë që dështimet e tyre bëheshin të dukshme”, akuzojnë nga VLEN.

VLEN i bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e propagandës së një partie që për dy dekada e shfrytëzoi amanetin e vitit 2001 për interesa të ngushta personale.

Advertisement
Exit mobile version