Rreth dhjetë kandidatura kanë mbërritur në Kuvend për shpalljen publike për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, e cila përfundon sot, përcjell TV21. Numri përfundimtar do të dihet të hënën, pasi të mbërrijnë edhe ato që janë dërguar me postë. Procedura për këtë shpallje do të vazhdojë pas 3 nëntorit, pra pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.
Të mërkurën, Komisioni parlamentar për çështjet e zgjedhjeve dhe emërimeve mbajti seancë, në të cilën formoi Komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të KSHPK-së. Anëtarët e Komisionit për përzgjedhje autorizohen të kryejnë përpunimin e të dhënave personale, duke qenë të detyruar të sigurojnë fshehtësinë dhe mbrojtjen e të dhënave në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, për çka do t’i dorëzojnë deklarata Komisionit kuvendor./tv21.tv