Site icon Tetova Expres

Shërbimet e administratës do të dixhitalizohen dhe modernizohen

Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski paralajmëroi ridizajnim të tërësishëm dhe modernizim të sistemit kombëtar elektronik për menaxhim me dokumentet eDMS.

Kjo sipas tij, nënkupton përgatitje elektronike të dokumenteve me vula e nënshkrime elektronike në mënyrë që qytetarët të mos enden nga sporteli në sportel.

Dërgimi dhe pranimi i dokumenteve si dhe shqyrtim i tyre do të bëhet tërësisht në mënyrë elektronike. Sistemi do të jetë i lidhur me portalin USLUGI.GOV.MK ku në një vend, mund të gjenden të gjitha lëndët që ndodhen në administratë. Brenda këtij sistemi pritet integrim i të gjitha institucioneve.

“Nëse ndjejmë se nuk ka mjaftueshëm interesim, atëherë do të shkojmë me vendim qeverie, me të cilën do t’i obligojmë institucionet, sepse edhe sipas ligjit ato deri në vitin 2028 duhet të kalojnë në punë elektronike, kjo është mënyra t’u ndihmojmë që këtë ta bëjnë pa shpenzime shtesë. Është e rëndësishme të theksohet se një pjesë e institucioneve kanë tashmë sistem për menaxhimin e dokumenteve, nëse ai funksionon dhe janë të kënaqur, këtë nuk do ta ndryshojmë por do të bëjmë integrim me ekzistuesin, që të kemi lëvizje të dokumenteve pa pengesa”, tha Stefan Andonovski, Ministër i Transformimit Dixhital.

Sistemi i deritanishëm, është shfrytëzuar nga vetëm 20 institucione dhe i njëjti nuk ka qenë i qëndrueshëm dhe nuk ka poseduar mbështetje teknike kompetente si dhe standarde për siguri kibernetike.

Advertisement

“Kur e morëm përgjegjësinë për sistemin, gjetëm gjendje që nuk u përgjigjet nevojave as të qytetarëve dhe as të institucioneve. Bëhet fjalë për sistem shumë të shtrenjtë por jofunksional që shfrytëzohet vetëm nga 20 institucione. Në dy vitet e fundit nuk ka pasur mbështetje, mirëmbajtje apo zhvillim. Nuk kanë ekzistuar standarde për siguri kibernetike dhe askush nuk kujdesej për sigurinë e sistemit. Ndërprerjet dhe rëniet e shpeshta e kanë bërë sistemin jo stabil. Ai është shfrytëzuar ekskluzivisht si fletore elektronike, pa arkivë apo përpunim dixhital të dokumenteve”, u shpreh Stefan Andonovski, Ministër i Transformimit Dixhital.

Andonovski tha se sistemi do ta rrit efikasitetin dhe transparencën dhe do ta ul korrupsionin. Ai nënvizoi se nuk do të ketë më lëndë që rrinë nëpër sirtarë e as që do të humben nëpër posta. Sistemi pritet të jetë funksional deri në fund të vitit, ndërsa nga 1 tetori i këtij viti, ministria e transformimit dixhital planifikon largimin e plotë të përdorimit të dokumenteve të letrës. / Alsat.mk

Exit mobile version