Një episod i shëmtuar ndodhi më 12 gusht në Shën Petersburg, gjatë ndeshjes së fazës së grupeve të Kupës së Rusisë mes Zenitit dhe Rubinit të Kazanit. Sulmuesi shqiptar i Rubinit, Mirlind Daku, u bë objekt i thirrjeve fyese nga tifozët vendas, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv.
Kreu i Komitetit të Kontrollit dhe Disiplinës të Federatës Ruse të Futbollit (RFU), Artur Grigoryants, konfirmoi për agjencinë “RIA Novosti” se rasti do të shqyrtohet zyrtarisht:
“Do të analizojmë episodin me brohoritjet ofenduese të tifozëve të Zenitit, të drejtuara ndaj futbollistit të Rubinit, Mirlind Daku”, tha Grigoryants.
Ndeshja përfundoi me fitoren 3-0 të Zenitit, ndërsa Daku arriti të shënonte një gol që më pas u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it. Kujtojmë se gjatë verës Zeniti kishte shfaqur interes për transferimin e 27-vjeçarit shqiptar, por marrëveshja nuk u finalizua dhe Rubin vendosi t’i rinovojë kontratën.
Mbledhja e Komitetit Disiplinor do të zhvillohet më 20 gusht, ku pritet të merret një vendim për sjelljen e tifozëve të Zenitit.