Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u tha gjatë një konference për shtyp me gazetarët mbrëmë, se një takim me Vladimir Putin do të ishte i mundur pas përcaktimit të boshteve kryesore të një marrëveshjeje me Perëndimin mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Ne duam të arrijmë një marrëveshje mbi strukturën e garancive të sigurisë brenda shtatë deri në dhjetë ditësh. Dhe bazuar në këtë bazë të përbashkët, ne synojmë të organizojmë një takim trepalësh në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan”, sqaroi ai.
Volodymyr Zelensky tha gjithashtu se do të donte të shihte një “reagim të fortë” nga Uashingtoni nëse presidenti rus nuk dëshiron të ketë një takim dypalësh me të. Ai shtoi se nuk është e qartë se çfarë lëshimesh do të ishte e gatshme të bënte Moska.
“Unë iu përgjigja menjëherë një propozimi për një takim dypalësh, ne jemi gati. Por çfarë ndodh nëse rusët nuk janë gati?”, tha ai.
“Nëse rusët nuk janë gati, ne do të donim të shihnim një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi Zelensky.
“Për të diskutuar se çfarë dëshiron të bëjë Ukraina, le të dëgjojmë së pari se çfarë dëshiron të bëjë Rusia. Ne nuk e dimë këtë”, përfundoi presidenti ukrainas.